Zona e Nën-Shkodrës vijon të përballet me situatë të vështirë, ndërsa sipërfaqja e përmbytur këtë të mërkurë shkoi rreth 5 mijë hektarë. Dajçi e Oboti janë zonat më të prekura, ku banorët thuajse janë dorëzuar dhe kërkojnë ndihmën e shtetit. Ndërkohë Qeveria dhe Bashkia e Shkodrës u përplasën sërish sot, pas vendimit për të shtuar mbështetjen dhe praninë e ushtarëve në zonat e përmbytura, por pa shpallur gjendjen e emergjencës.

Banorët e Nën-Shkodrës dhe forcat e ushtrisë bënë roje gjithë natën, pasi prurjet e fuqishme e kanë dëmtuar rëndë argjinaturën e Pentarit në njësinë administrative të Dajçit.

Mëngjesin e kësaj të mërkure nën ujë ishin rreth 5 mijë hektarë tokë dhe disa qindra shtëpi të izoluara.

Banorët  e Dajçit po mundohen të shpëtojnë çfarë të mundën nga shtëpitë, si dhe gjënë e gjallë. 

Por përballë nivelit të ujit janë të pafuqishëm.

Banori: Gjithmonë kjo rrymë uji na futet brenda. Zoti e bëftë mirë.

Në Obot prej ditësh, lëvizet vetëm me varka.

Banorët kërkojnë reagim të qeverisë dhe të mundësojnë sigurimin e bazës ushqimorë për bagëtitë.

Banori: Kam dele, qingja, dhi dhe ishalla s’po shtohet më të m’i kapë.

Nga Tirana, qeveria u angazhua për tu intensifikuar ndihmat, por nuk shpalli gjendjen e emergjencës, vendim që kryebashkiakja e Shkodrës e cilësoi turp.

Senida Mesi: Në këtë mbledhje të sotme, disktuam situatën si edhe përcaktuam kapacitetet njerëzore dhe logjistike të tjera që nevojiten krahas atyre të alokuara për përmballimin e përmbytjeve.

Voltana Ademi: Do ta konsideroja një turp të madh dhe një nëpërkëmbje të qytetarëve dhe institucioneve të tyre përfaqësuese në nivelin vendor.

Parashikimet nuk janë optimiste dhe shpresa e vetme e këtyre banorëve është që niveli i ujit të mos rritet më shumë, pasi në të kundërt situata do të shkojë e ngjashme me vitin 2010 dhe 2011.

/Ora News.tv/