Serbia synon që brenda këtij viti të arrijë një marrëveshje të gjithanshme me Kosovën pasi ka mundësitë më të mira që të fitojë më shumë nga negociatat, sa kohë që presidenca amerikane dhe kryenegociatorja europiane kanë ende pushtetin. Deklarata u bë të enjten nga kryediplomati i Serbisë, Ivica Daçiç, gjatë një interviste me Zërin e Amerikës përpara seancës për Kosovën të Këshillit të Sigurimit.

Daçiç: Duhet të nxitojmë për arritjen e një marrëveshjeje gjatë kohës që Donald Trump është në pushtet, përndryshe e kam të vështirë ta besoj që me ndonjë administratë tjetër do të marrë zgjidhje çështja jonë. Gjysma e mandatit të Trump ka kaluar, ndërsa mandati i shefes për politikë të jashtme në BE, Federika Mogerini, është duke përfunduar. Duhet të bëjmë çdo përpjekje për zgjidhje, mundësisht brenda vitit.

Ministri i Jashtëm serb theksoi se nevoja për marrëveshje bëhet edhe më e ngutshme me largimin e pritshëm të ndihmësdiplomatit amerikan për Evropën dhe Eurazinë, Ues Miçëll, të cilin ai e vlerësoi si "mbartësin" e ndryshimit të linjës politike amerikane kundrejt Serbisë.

Daçiç: Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj po luajnë role të ndryshme dhe është e paqartë se cilën anë po mbajnë. Njëri prej tyre sillet si mik dhe tjetri si armik. Prandaj e respektoj faktin që Shtetet e Bashkuara po i bëjnë presion Prishtinës, por nuk besoj se do të kenë rezultat.

Gjatë një fjalimi të mëhershëm Daçiç akuzoi Kosovën për strehimin e numrit më të lartë të luftëtarëve terroristë, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar e kishte nënvlerësuar rrezikun që Ballkani Perëndimor përbente si bazë e rekrutimit të terroristëve.

/Ora News.tv/