Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka thënë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën me asnjë çmim dhe se Serbia dëshiron të arrijë një kompromis për Kosovën.

Nuk do ta njohim Kosovën për asnjë çmim, sepse nuk është në pyetje BE-ja apo Kosova. Ne nuk duam të na shtrohet ashtu pyetja. Duam zgjidhje paqësore, por jo poshtërimin e Serbisë”, tha Daçiç në Timisoara të Rumanisë, raporton “FoNet”.

“Ka probleme në Ballkan, por ato nuk duhet të jenë bazë për luftëra. Kërkohet më shumë mirëkuptim nga bashkësia ndërkombëtare dhe në këtë drejtim ne po përpiqemi për të udhëhequr një politikë të ekuilibruar të jashtme,  e cila respekton të gjitha qëllimet tona strategjike”, tha Daçiç.

Ai tregoi se qëllimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në BE, por nuk mund të hyjë deri sa të arrijnë një marrëveshje ligjërisht detyruese me Kosovën, duke pyetur nëse dikush në BE e di se çfarë duhet të shkruhet në atë marrëveshje dhe nëse kjo do të thotë se Serbia duhet ta njoh Kosovën.

“Rumania dhe katër vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën do të thonë se kjo nuk është e domosdoshme, por shumë vende të tjera do të thonë se kjo duhet të bëhet. Nga ana tjetër, kjo hap dilemë në shoqërinë tonë – BE-ja apo Kosova.  Këto janë pyetje shumë të vështira dhe duhet të ketë një mirëkuptim të thellë të atyre që flasin për të”, tha Daçiç.

Sipas tij, BE aktualisht ka probleme më të mëdha sesa anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, por BE është një projekt i mirë për Serbinë.

Daçiq tha se stabiliteti rajonal është i rëndësishëm për stabilitetin e Evropës dhe për këtë arsye duhet të kërkohen kompromise, e jo të pranojnë akte të njëanshme

/Ora News.tv/