Një transferim tek Juventusi për Cristiano Ronaldon do të shkundë futbollin evropian, me fituesin e pesë herë të Topit të Artë që do krijonte një efekt domino në tregun e futbollistëve.

Juventusi po shqyrton mënyrat për të shtuar pikat e forta, duke ndërtuar një ekip edhe më të madh me portugezin në qendër të tij, megjithëse në Itali kanë folur për një shitje të mundshme të Gonzalo Higuain për të financuar ardhjen e Ronaldos.

E ardhmja e argjentinasit duket se do të jetë në Londër, marrëveshja me vlerë 60 milionë euro, sipas "Mediaset". Kjo mund të çojë në një ribashkim të mundshëm me Maurizio Sarri, i cili ka qenë i lidhur ngushtë me pankinën e Chelsea.

Arritja e Higuain tek Chelsea gjithashtu do të çonte në mbipopullim të repartit të sulmit tek "blutë" dhe Alvaro Morata duket se ka më shumë gjasa të largohet.

Morata mund të vendos për të kaluar në Gjermani dhe më saktësisht tek Bayern Munich. Bavarezët po mbajnë nën vëzhgim sulmuesin 25-vjeçar, si dhe sulmuesin e Paris Saint-Germain Edinson Cavani, me Robert Lewandowski që është duke kërkuar të largohet nga "Allianz Arena", megjithëse nuk do të jetë një largim kaq i lehtë për polakun.

Lewandowski ka qenë duke flirtuar haptazi me Realin e Madridit muaj më parë, pavarësisht se trajneri i Bayernit, Nico Kovaç, ka deklaruar se do të qëndrojë në klub. Performanca e dobët në Kupën e Botës ndaj sulmuesit i cili mbush 30 vjeç në gusht do ta bëjë të vështirë që gjermanët të kërkojnë një pagesë të lartë nëse Reali i Madridit do të trokas.

Nëse lëvizja e Ronaldos në Juventus bëhet zyrtare, Real Madridi me siguri do të ketë nevojë për një "Galaktik" për të qetësuar tifozët dhe të mbetet në elitën e futbollit europian, edhe pse ka pak lojtarë si ky në botë.

Neymar, Kylian Mbappe dhe Harry Kane janë tre emrat që vazhdojnë të jenë të lidhur, edhe pse do të jetë shumë e vështirë të përsëriten golat, performancat dhe udhëheqja e Ronaldos në fushë.



/Ora News.tv/