Çmimet AIITC, vlerësohet kontributi i shkrimtarëve dhe artistëve të rinj

Çmimet AIITC, vlerësohet kontributi i shkrimtarëve dhe

Në edicionin e 10, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam ka vlerësuar kontributin e shkrimtarëve, piktorëve si dhe krijuesve të rinj në kulturën shqiptare. Çmimi AIITC është ndahet në tri kategori: libri më i mirë, peizazhi më i bukur dhe krijimtaria më e arrirë nga moshat e reja.

Për të dhjetin vit rradhazi, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam ka vlerësuar kontributin e shkrimtarëve, piktorëve si dhe artistëve të rinj. Për drejtuesin e këtij Instituti, Ramiz Zekaj, çmimet synojnë të stimulojnë krijuesit shqiptarë për të sjellë prurje të reja artistike e shkencore, me qëllim pasurimin e kulturës.

Zekaj: Duke organizuar cmimin në AIITC, ju dhe ne duam t’u japim shpresë e kurajë elitës së studiuesve, artistëve dhe të rinjve, juritë që punuan për ditë të tëra për të dhënë vlerësimet e tyre do të na njohin me prurjet më të reja si dhe protagonistët dhe autorët e tyre, që talentin e potencialet e tyre intelektuale t’i vënë në shërbim të kulturës, shkencës dhe artit.

Studiuesi Rifat Hoxha u vlerësua me çmimin e parë për librin me titull "Histori e Islamit në Kavajë", vepër që jep një kontribut në pasurimin e historisë së fesë dhe qytetërimit islam.

Hoxha: Jam i gëzuar pa dyshim se është një punë disa vjecare që unë e kam bërë. Them që mund ti vlerësoni sepse jam munduar të jap, të saktësoj, të argumentoj disa cështje të islamit historik.

Sakaq, çmimi i parë në kategorinë e krijimtarisë letrare nga moshat e reja, iu akordua poetes Shqipe Palloshi, për vëllimin e saj poetik, me tematikë "E bukura në shpirt dhe në jetë".

Palloshi: Ky çmim është vërtetë i një rëndësie të vecantë për mua dhe uroj të jetë një motivacion më shumë që të vazhdoj të krijoj në shërbim të artit dhe të së bukurës.

Po ashtu Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam vlerësoi piktorin Sadik Kasa, për peizazhin "Sheshi i shatërvanit Prizren". Në ceremoninë e organizuar nën tingujt e violinës së familjes virtuoze Qerimi, morën pjesë personalitee të artit e kulturës, politikës dhe trupit diplomatik.

EMISIONET