Claudia Cardinale, 80 vite për "anti-divën" me bukuri të pa perëndueshme

Claudia Cardinale, 80 vite për "anti-divën" me bukuri

Një festë ditëlindjeje prej dive, për një aktore, e cila me krenari e përkufizon veten si "anti divë". Claudia Cardinale  mbush 80 vjeç sot më 15 prill dhe feston në Teatrin San Carlo të Napolit.

"Nuk e kam fshehur kurrë moshën time, nuk kam qenë dhe nuk do jem ndonjë herë një divë. Jam një grua e thjeshtë, si gjithë të tjerat", rrëfen muza inspiruese e shumë regjisorëve të mëdhenj të viteve të arta për kinemanë italiane, si: Visconti, Germi, Fellini apo Leone.

Lindur më 1938-ën në Tunisi, nga prindër me origjinë italiane (emri i saj i vërtetë është Claude Joséphine Rose Cardinale), në moshën 17 vjeçare fitoi një konkurs bukurie.

Çmimi i dha një vlerë simbolike, por aspak i vogël për të ardhmen e saj. Ishte një udhëtim në Festivalin e Kinemasë në Venecia. Që atëherë nuk u ndal më.

Pak para këtij eventi, në kryqytetin afrikan, ajo u përdhunua nga një francez më i madh se ajo, me të cilin kishte një lidhje traumatike.

Lindi djalin e saj të parë, në sekret të plotë, ndërkohë që po niste të depërtonte në botën e kinemasë.

Interpretimi i saj i parë ishte në "Të panjohurit e zakonshëm" (Soliti Ignoti) e Mario Monicelli-t.

Claudia ka qenë protagoniste e më shumë se 120 filmave, të firmosur nga emra të mëdha të kinemasë.

Nëse në vitet '60-të, në Francë ishte e mirënjohura "BB" (Brigitte Bardot), në Itali të gjithë donin "CC", Claudia Cardinale.

Mund të konsiderohet aktorja italiane më e rëndësishme në ato vite dhe e vetmja që gëzoi reputacion ndërkombëtar, njësoj me atë të  Sophia Loren, aq sa për të merituar çmimin Luani i Artë në karrierë në vitin 1993 dhe Ariu i Artë në Berlinalen e 2002-shit.

Ndërkohë, këto ditë, është në teatrin Augusteo, për të interpretuar tek "Çifti i çuditshëm", me tekst origjinal të Neil Simon, adaptuar në italish nga Pasquale Suitieri, me të cilin Cardinale ka qenë e lidhur nga viti 1973 deri në vitin 1999, i zhdukur një vit më parë e që do të mbetet përgjithmonë "e vetmja dashuri e jetës sime", siç është shprehur aktorja.

Pyetjes "Si ke mundur t'u rezistosh aktorëve tërheqës me të cilët ke luajtur në set, si: Alen Delon dhe Marcello Mastroiani, ajo i përgjigjet: "Asnjëherë nuk kam 'rrëshqitur' për një aktor".


Kliko ketu per te pare FOTOGALERINE

EMISIONET