Ngjarja e ditëve të fundit në aeroportin e Rinasit do të ketë impakt negative në ekonominë shqiptare pasi agjencitë financiare ndërkombëtare do të shtojnë nivelin e riskut. Eksperti Adrian Civici shpjegon se në një kohë që kredidhënia në vend është e ulët dhe fuqia e tregut është e vogël atëherë bankat transferojnë para në institucionet e huaja financiare. Grabitjet e shpeshta sipas Civicit do të ndikojnë në rritjen e kostove për shërbimet e bankave.

Grabitjet e shpeshta në bankave të nivelit të dytë në Shqipëri pritet të ndikojnë në rritjen e nivelit të riskut nga agjencitë ndërkombëtare  për  Shqipërinë. Eksperti, Adrian Civici, thotë se ngjarje të tilla kanë impakt negative në ekonomi dhe për këtë duhet të merren masa që ngjarje të tilla të zbardhen sa më parë.

Civici: Kur një vend ka një nivel të lartë risku edhe financimet që vijnë nga jashtë edhe investimet e ndryshme edhe niveli i primit të sigurimit tyre bëhen më të larta. E thënë ndryshe ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis sistemit dhe garancisë së sigurisë që kemi dhe kostos apo zgjedhjes së lehtësisë së këtyre investimeve.

Civici sqaron se transfertat nga bankat janë një fenomen i njohur pasi ato janë një biznes dhe tepricën e parave e investojnë për të marrë fitime. Ndërsa kredidhënia kohët e fundit në vend është në stanjacion  dhe bankat kanë mbi 3 mld euro që i mbeten stok.

Civici: Më pak se gjysma e këtyre disponibiliteteve monetare që kanë bankat jepet si kredi brenda vendit. Aq më tepër në raporte midis lekut dhe euros. Është një shifër mbi 3 mld euro që janë likuiditetet që bankat nuk i përdorin dot.

Civici shprehet se ngjarje të tilla pritet të rrisin ndjeshëm kostot e shërbimeve në banka.

Civici: Jemi në nivelin më të lartë në Ballkan sa i përket këtyre dhe kjo vjen nga problemet që kanë bankat që rrisin koston e shërbimit bankar.

De-euroizimi  ka ulur interesin që bankat e nivelit të dytë të mbajnë likuiditete në Bankën e Shqipërisë duke e bërë edhe më të ndjeshëm nivelin e transfertave jashtë vendit.


/Ora News.tv/