Pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, partitë politike të Greqisë filluan të paraqesin programet e tyre ekonomike. “Është hera e parë në një dekadë që një qeveri greke ka luksin ta diskutojë në planin e vet për katër vitet e ardhshme, një program që do të miratohet nga populli dhe jo nga trojka e huadhënësve të Greqisë,” deklaroi kryeministri Aleksis Cipras.

Pasi humbi në zgjedhjet europiane, Cipras synon ta shtojë mbështetjen e votuesve nëpërmjet programit ekonomik.

Duke paraqitur planin e SYRIZA-s, Cipras tha se ai është i zbatueshëm vetëm për faktin se “qeveria e nxori vendin nga programet e shpëtimit.

“Shumë besuan se ne nuk do ia dilnim dot, por populli grek besoi tek qeveria. Greqia nuk është më një vend i falimentuar, tani kemi mundësinë t’ju prezantojmë planin tonë për Greqinë e së”, nënvizoi ai.

Cipras tha se e kupton zemërimin, lodhjen dhe zhgënjimin e votuesve dhe u bëri thirrje atyre të kujtojnë se ku ishte Greqia katër vjet më parë.

“Tani Greqia ka një rrugë të hapur përpara dhe mund t’u japim frymë atyre që e mbajtën barrën gjatë kohërave të vështira”, përfundoi kryeministri

 Ndërsa kreu i opozitës dhe i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, tha gjatë një interviste për gazetën gjermane Handelsblatt, se synon të formojë një qeveri të fortë dhe të qëndrueshme e cila “do të ndjekë një qasje tjetër politike.” Plani i tij synon uljen e taksave për kompanitë dhe modernizimin e shtetit.

/Ora News.tv/