Më shumë se gjysmë milionë sirianë janë vrarë gjatë luftës së vazhdueshme të Sirisë sipas Kombeve të Bashkuara, por vetëm një pjesë e këtyre vdekjeve kanë ndodhur si rezultat i 34 sulmeve kimike të konfirmuara që thuhet se janë ndërmarrë nga presidenti sirian Bashar al-Asad në luftë kundër grupeve të armatosura të opozitës në vend.

Me pabarazinë në numrin e vdekjeve që i atribuohen përdorimit të armëve konvencionale dhe kimike, civilët, që kanë përjetuar sulme të të dyja llojeve, pyesin veten se pse sulmet kimike përbëjnë një "vijë të kuqe" për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë, ndërsa "bombat fuçi dhe artileria e gjallë" jo.

Sulmi i fundit kimik i dyshuar që goditi qytetin Douma, në krahinën e Guotës Lindore që kontrollohet nga rebelët, u pasua me "sulme të trefishta" nga SHBA, Franca dhe Britania e Madhe, në tre objekte kimike të supozuara.

Menjëherë pas kësaj, SHBA paralajmëroi se është e gatshme dhe e vendosur për të goditur përsëri Sirinë nëse ndodhin të tjera sulme kimike.Por sirianët janë dyshues rreth motiveve të reagimit, pavarësisht nga veprimi ushtarak dhe kërcënimet e përsëritura të SHBA.

Sulmet duhet të kishin ndodhur 'shumë kohë më parë

Aktivisti Hazem al-Shamy, i cili tani banon në qytetin Qalaat al-Madiq në provincën Hama, tha se sulmet e Perëndimit u pritën me një "reagim negativ" nga vendasit.

"Sulmet ishin joefektive dhe nuk shkatërruan asnjë nga bazat e ushtrisë nga ku avionët luftarakë u ngritën për të nisur bomba fuçi mbi civilët në Ghoutan Lindore", tha ai për Al Jazeera.

"Kishte disa sulme kimike në qytete të ndryshme të mbajtura nga rebelët që nga fillimi i luftës, por asnjëherë nuk kemi parë një reagim nga bashkësia ndërkombëtare që të dëmtojë vërtet regjimin e Asadit", tha ai.

Përgjigjia perëndimore erdhi disa ditë pasi një ofensivë e përgjakshme dy-mujore përfundoi në Ghoutan Lindore, e ndërmarrë nga Assad dhe aleati i tij kryesor ushtarak Rusia, duke rezultuar në shkatërrimin e një qyteti tjetër që dikur kontrollohej nga grupet e opozitës.

Me ndihmën ushtarake ruse, ofensiva e pandërprerë vrau të paktën 1,600 civilë dhe zhvendosi më shumë se 130,000 njerëz nga rrethinat e Damaskut që kishin qenë nën kontrollin e rebelëve që nga mesi i vitit 2013.

Nour Adam, i cili u nis për në veri të Sirisë me familjen e tij si pjesë e një serie marrëveshjesh për evakuimin e civilëve  ndërmjet Rusisë dhe grupeve të opozitës në Ghoutan Lindore, beson se sulmet e udhëhequra nga SHBA "nuk ndikuan" tek qeveria siriane.

"Sulmet duhet të kishin ndodhur shumë kohë më parë. Ne shpresonim se ata do të dëmtonin disa baza të regjimit, si dhe objektiva iranianë dhe rusë", tha ai për Al Jazeera.

Të urdhëruar nga Presidenti i SHBA Donald Trump, sulmet kishin në shënjestër një qendër kërkimore në Damask, një depo armësh dhe një post komanduese në Homs.

"Ata prisnin që regjimi të merrte Ghouta ... Gjithçka ishte planifikuar - koha e sulmit përkonte me rikthimin e qytetit nga Rusia dhe regjimi i Asadit", shtoi Adam.

Lufta e Sirisë, tani në vitin e tetë, ishte në favor të opozitës derisa Rusia hyri në luftë në mbështetje të Asadit në vitin 2015. Ndihma e Rusisë dhe mbështetja e Iranit ndryshuan kursin në favor të qeverisë së Asadit.

Në më pak se tre vjet, qeveria siriane ka rifituar kontrollin e shumicës së Sirisë, me grupet e opozitës tani të kufizuara në pjesën veriore të vendit.

Në të kaluarën, analistët kanë vënë në dukje se përdorimi i armëve kimike kishte për qëllim që të ushtronte presion mbi grupet e opozitës që të lëshonin territoret që kishin në kontroll.

Firas al-Abdullah, një gazetar lokal i cili është tani në Aleppo, beson se SHBA do të kishte "ndalur" Assadin vite më parë, nëse do të kishte qenë në interesin e saj.

"Nëse ata (Perëndimi) janë të interesuar për shkeljet e regjimit sirian, do të ishin përgjigjur shumë kohë më parë, ata do ta kishin 'eleminuar' Assadin në pesë minuta", tha ai për Al Jazeera.

Edhe pse Perëndimi është në frontin e kundërt me Assad,  sulmet me raketa nuk kanë të bëjnë me "ndryshimin e regjimit" në Siri, vuri në dukje Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Theresa May.

Të njëjtën gjë konfirmoi edhe presidenti francez Emmanuel Macron, duke u shprehur se qëllimi i sulmeve ishte të pengonin përdorimin e armëve kimike nga qeveria siriane.

"Ata nuk duan të përfundojë konflikti," tha el-Abdullah.

"Çdo sulm që nuk çon në largimin e regjimit kriminal është i pamjaftueshëm. Prandaj këto sulme nuk sjellin asgjë të mirë për popullin sirian, ato u ndërmorën që këto kombe tëmund të shpëtonin thjesht fytyrën".

Veprim thjesht politik

Pavarësisht nga përgjigja në shkallë të gjerë, e cila për herë të parë tërhoqi disa vende për të koordinuar një valë sulmesh, ekspertët theksojnë se veprimi mund të ketë qenë "thjesht politik" dhe kishte "lidhje me politikën e vendosur gjatë Administratës së Obamës ".

"Sulmet nuk përfaqësojnë asgjë të re në politikën amerikane dhe është e qartë se sa kufizohen sulmet," tha  për Al Jazeera Samer Abboud, një profesor i asociuar i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Arcadia.


/Ora News.tv/