CIA: Rusia synon të përzihet në zgjedhjet e ardhshme në SHBA

CIA: Rusia synon të përzihet në zgjedhjet e ardhshme në SHBA

 Rusia do të përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet afatmesme amerikane të 2018 duke përdorur mediat sociale për të përhapur propagandën e saj dhe raportime keqinformuese. 

Paralajmërimi vjen nga agjensitë amerikane të inteligjencës, udhëheqësit e të cilave morën pjesë në një komitet kongresional. 

Kreu i Inteligjencës Kombëtare Dan Coats u shpreh se jo vetëm Rusia, por edhe të tjerë faktorë të jashtëm me gjasa do të sulmojnë zgjedhjet amerikane dhe ato europiane këtë vit e më tej, nisur nga suksesi i supozuar i ndërhyrjes së Moskës në demokracinë amerikane 2 vite më parë.

Coats, i emëruar nga presidenti Donald Trump si zyrtari më i lartë i inteligjencës së Uashingtonit, u shpreh se ai ka prova që Rusia ka ndërhyrë vërtet në zgjedhjet amerikane të nëntorit 2016. “Shtetet e Bashkuara janë nën sulm,” u shpreh Coats në seancën vjetore të Komitetit të Inteligjencës për kërcënimet në mbarë botën.

Komentet e zyrtarit Coats kundërshtojnë deklaratat e presidentit Trump, i cili ka hedhur dyshime mbi idenë e ndërhyrjes së Rusisë në punët e brendshme të vendit.

 Presidenti madje ka mohuar me forcë idenë se bashkëpunëtorët e tij kanë patur lidhje me Rusinë përpara fitores surprizë të tij përballë ish-kandidates demokrate Hillary Clinton. Edhe Moska zyrtare ka mohuar të ketë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale, pavarësisht faktit se agjensitë amerikane të inteligjencës kanë dalë në një konkluzion të kundërt.

EMISIONET