Çfarë po bën me Tiranën Refik Halili? Presidenti i cili është pranë bardhebluve që prej vitit 2003 duket se nuk i ka mësuar ende sekretet e futbollit. Pyetja më e thjeshtë që më lind kur shoh Tiranën të dështojë prej 1 dekate është nëse faji është i Halilit apo i njerëzve afër tij.

Nën zë thonë se Halili i cili prej vitesh ka harxhuar shuma të mëdha për Tiranën nuk i beson strukturave të klubit por vendimet i merr tek të besuarit e tij, që në shumicën e rasteve nuk kanë lidhje fare me futbollin. Bilancet e Tiranës në vitet e fundit janë të frikshme. Lista e borxheve shtohet dita-ditës, ndërkohë që ende flitet se ka probleme me pagesat por ky nuk është problemi kryesorë. Edhe këtë sezon rezulton se zgjedhjet nuk janë bërë të nivelit të lartë dhe Tiranës i mungojnë futbollistët cilësorë, një lidër për të përballuar kampionatin në nivele të larta.

A është vetëm faji i Ze Maria apo i vendimeve që shkojnë përtej kompetencave të tij? Kjo mbetet për tu parë. Braziliani është ende në stolin e bardhebluve pasi nuk ka asnjë vendim për shkarkimin e tij, ndërkohë që "Ora News" konfirmon nëpërmjet kontakteve se Halili ka nisur të kërkojë trajnerin e ri. Nëse do të ndodh kështu, Ze Maria do të bëhet trajneri i 7-të i larguar nga klubi bardheblu që prej vitit 2015, kohë kur Halili mori zyrtarisht 66 % të aksioneve të klubit bardheblu.

A thua të jetë ky shpëtimi i Tiranës? Mbetet për tu parë por një gjë është e sigurtë. Largimi i trajnerit aktual do të shtojë sërish listën e detyrimeve tek bardheblutë.

/Ora News.tv/