Në pritje të autorizimit nga Presidenti i Republikës, për të nisur negociatat me shtetin grek për delimitimin e kufirit detar, një nga 12 negociatorët e propozuar nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, Artur Mecollari, u akuzua  si bashkëpunëtor i agjenturave të vendeve jashtë NATO.

Berisha: Dua të denoncoj me ashpërsinë më të madhe vendosje në grup të një ish-spiuni.

Të gjendur përballë këtij sulmi, Ministri Bushati u detyrua që në komisionin e jashtëm të kuvendit të publikonte certifikatën e sigurisë NATO COSMIC TOP SECRET, sipas të cilës gëzonte një nivel të lartë besueshmërie.

Bushati: Ja po ju them për Artur Meçollarin. Certefikatë për informacionin e klasifikuar. NATO Cosmic.

Paloka: I është lënë në dorë spiunëve të negociojnë dhe të shesin interesat e Shqipërisë.

Shqipëria është tashmë një vend anëtar i NATO që prej vitit 2009 dhe politika e saj e mbrojtjes funksionon sipas direktivave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që do të thotë se vendi ynë është një partner i besueshëm i NATO, si pjesë e këtij formacioni. 

NATO COSMIC TOP SECRET është një certifikatë personale sigurie, e nivelit të lartë që të lejon aksesin në të dhënat që prekin sigurinë kombëtare, anti-terrorizmin, kundër-zbulimin ose të dhëna të tjera sensitive që qarkullojnë nga NATO dhe midis shteteve të NATO-s

Ora News pyeti nëse është e mundur që  një person i cili ka këtë lloj certifikate sigurie, mund të jetë i përfshirë si një agjent spiunazhi. Një zyrtar i NATO tha për Ora News se këtë pyetje duhet t’ia bëjmë autoriteteve shqiptare, pasi lëshimi i certifikatave të tilla është një e drejte e posaçme, ekskluzive e autoriteteve shqiptare.

Kjo certifikatë sigurie e nivelit të lartë sipas direktivës së Komitetit të Sigurimit, i lëshohet individëve nga autoriteti i sigurisë kombëtare të shtetit  mëmë, që në rastin e Shqipërisë është Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ose DSIK.  Ashtu si në certifikatën e zotit Meçollari, ku certifikata e lëshuar ne vitin 2016 mban firmën e kreut të këtij institucioni, Arben Seferi dhe vulën e shtetit shqiptar.

Sipas të gjitha standardeve të NATO, DSIK përpara se të lëshojë një dokument të tillë, duhet të investigojnë të gjithë personat përpara se t’i pajisin me certifikata sigurie duke bashkëpunuar me të gjitha agjencitë e tjera kombëtare.  Hetimi duhet të përfshijë 10 vitet e fundit të personit, statusin financiar, arsimimin, punësimet e mëparshme dhe shërbimin ushtarak dhe sigurisht që një nga kriteret për të marrë certifikatë sigurie, është që personi apo familjarët e tij të mos ketë qenë agjentë spiunazhi.

NATO COSMIC TOP SECRET është një certifikatë që lëshohet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe duke qenë se shteti shqiptar është një partner i besueshëm për NATO, organizata ushtarake i beson dokumenteve që lëshohen nga autoriteteve shqiptare.

/Ora News.tv/