Pas takimit në Davos, Kryeministrat Tsipras dhe Zaev kanë njoftuar për progres në procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes palëve. Maqedonia ka vendosur që të heqë dorë nga emri i aeroportit ‘Aleksandri i Madh’, ndërsa nga ana tjetër, Greqia është gati të zhbllokojë procesin e zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit nga ana e Shkupit. Megjithatë, edhe njëherë, Tsipras listoi si kusht zgjidhjen e çështjes së emrit për të lejuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Maqedonia dhe Greqia me sa duket kanë hedhur një hap më tej drejt zgjidhjes së çështjes së emrit pas takimit në Davos mes dy Kryeministrave, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras. Shefi i qeverisë së Shkupit njoftoi se për të treguar vullnetin pozitiv është vendosur që të hiqet dorë nga emri ‘Aleksandri i Madh’ që mban aeroporti i Shkupit, ndërsa rruga që lidh dy vendet do të quhet ‘Austrada e Miqësisë’.

“Për të dëshmuar konkretisht përkushtimin tonë ndaj zgjidhjes së çështjes së emrit, bëj me dije se qeveria do të ndërrojë shumë shpejt emrin e aeroportit ‘Aleksandri i Madh’. Gjithashtu, rruga që lidh dy vendet tona shumë shpejt do të quhet ‘Autostrada e Miqësisë’. Ky është një tjetër tregues se ne nuk kemi aspirate territoriale ndaj fqinjit tonë.”

Nga ana tjetër, Tsipras u shpreh se shumë shpejt Parlamenti grek do të votojë pro vazhdimësisë së zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit nga ana e Maqedonisë, një proces ky i bllokuar që prej vitit 2009. Gjithashtu, shefi i ekzekutivit helen tha se do të mbeshtetet integrimi i fqinjëve në Iniciativën e Adriatikut dhe Jonit. Megjithatë, Kryeministri i Greqisë e bëri edhe njëherë të qartë se për të avancuar drejt antarësimit në NATO dhe BE, palët duhet të gjejnë një zgjidhje për çështjen e emrit, ndaj bëri edhe njëherë thirrje për të treguar vendosmëri në negociatat që po zhvillohen në Nju Jork me ndërmjetësimin e OKB-së.

/Ora News.tv/