Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikatat e mirënjohjes për 10 të rinj vullnetarë, mjekë dhe infermierë, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për kujdes shëndetësor dhe ndihmën e parë në zonën e Parkut të Liqenit Artificial gjatë verës, por edhe për kontributin e tyre në zhvillimin e mbarëvajtjen e Maratonës së Tiranës.

 Ai i falenderoi ata për kontributin e vyer që dhanë sidomos në ditën e zhvillimit të Maratonës së Tiranës, duke ndihmuar me lehtësimin e trafikut, lëvizjeve të qytetarëve, orientimit të sportistëve të huaj, apo edhe me ndihmën e shpejtë për ata që kanë pasur nevojë. Atë ditë vullnetarët ishin përqendruar në shumë pika shërbimi përgjatë itinerarit të maratonës.

“E di sa e rëndësishme është që të mbështetesh në çuna dhe goca që duan të bëjnë mirë, që janë profesionistë. Në shumicën e kohës jemi ankues profesionistë, jemi specialistë të tregojmë si nuk bëhet një gjë dhe patjetër, japim mend nga kafja apo pika e basteve. Por, ‘hanë bukë veç’ ata njerëz që thonë: Unë s’jam pjesë e këtij kori qaramanësh, dua të bëj diçka të veçantë, qoftë edhe pa pagesë, të jap kontributin tim dhe të jem shembull se si bëhet më mirë”, tha Veliaj, duke iu drejtuar vullnetarëve.

Veliaj u shpreh se projekti pilot i Bashkisë së Tiranës ka hedhur bazat e  punës vullnetare dhe u shpreh optimist se do të vijojë më tej, në zona të tjera të kryeqytetit.

 “Me këtë projekt-pilot kemi vendosur bazat, kemi mësuar çfarë funksionon e çfarë jo, si mund ta bëjmë më mirë, por fakti që njerëzit i janë kthyer vrapit, ecjes, daljes në natyrë, këndeve të lodrave, është diçka e mrekullueshme. Kur shikoj se si është transformuar ajo hapësirë te Liqeni, se si është kthyer në zonën më të vizituar sot në Tiranë, është kompliment për punën e të gjithëve. Në qoftë se rrjetin e vullnetarëve që ndihmojnë e shtrijmë edhe tek Pazari i Ri, në mjedise të tjera publike masive si sheshi “Skëndërbej”, atëherë mund të japim edhe më shumë garanci për qytetarët”, tha Veliaj. 

Duke vlerësuar kontributin e të rinjve vullnetarë për komunitetin, kryebashkiaku shtoi se përtej asistencës direkte, kjo nismë ka krijuar edhe ndjenjën e  sigurisë tek qytetarët. “Po të bëjmë një grup njerëzish që ndihmojnë, bashkëpunojnë, japin shembull, që drejton personalisht dhe nuk jep mend të tjerëve si bëhet gjëja, mund të bëjmë mrekulli. E kam parë mënyrën se si ka funksionuar projekti, edhe se si keni ndihmuar njerëz që mund të kenë qenë në raste vështirësie, por unë besoj se ndihma më e madhe ka qenë për ata njerëz që ndoshta s’kanë pasur nevojë, por vetëm fakti që ju kanë parë, ju ka dhënë një ndjenjë sigurie, ju kanë dhënë që kjo është një hapësirë e sigurt ku mund të kalosh kohë”, nënvizoi Veliaj, teksa siguroi se kjo nismë e suksesshme do të vijojë edhe në zona të tjera të kryeqytetit. 

/Ora News.tv/