Opsion dhe shtyrja e zgjedhjeve, Gjermania gati të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës në Shqipëri

Opsion dhe shtyrja e zgjedhjeve, Gjermania gati të

Tejzgjatja e krizës politike në Shqipëri po shqetëson Gjermaninë ndaj dhe nga Berlini vijnë thirrjet për dialog dhe gatishmëri për të ndërmjetësuar. Një deklaratë e grupit parlamentar të CDU/CSU-së gjithashtu bën thirrje për protesta paqësore nga opozita dhe dënon aktet e dhunës, por po ashtu shtyrja e zgjedhjeve konsiderohet si një propozim që duhet shqyrtuar. Ndërkohë vendimi për çeljen ose jo të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut thuhet se do të merret më 23 shtator.

Gjermania shprehu shqetësimin për krizën e brendshme politike në Shqipëri dhe për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen pa opozitën.

Qëndrimi është mbajtur nga dy deputetët, Johann Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt i CSU-së raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal.

Me anë të një deklarate dy ditë para protestës së opozitës, ata bënë thirrje që ajo të jetë paqësore dhe dënuan aktet e dhunës.

 “Është përgjegjësia e vendimmarrësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t'i mbyllet rruga drejt Europës".

Dy deputetët gjermanë i janë bashkuar thirrjes së kryeministrit Rama që me dy letra publike i ka kërkuar kreut të opozitës Lulzim Basha nisjen e dialogut dhe shprehen të gatshëm të ndërmjetësojnë për të kapërcyer krizën.

Por kjo sipas tyre mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte dhe pa përjashtuar asnjë temë.

"Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje".

Ndërhyrja e Gjermanisë për uljen e palëve në dialog vjen në një kohë kur Bashkimi Kristiandemokrat dhe Kristiansocial në Budenstang kanë theksuar se vendimi për çeljen ose jo të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të merret më 23 shtator.

Ndërsa socialdemokratët kërkojnë që votimi të bëhet sa më shpejt, pra, menjëherë pas publikimit të progres-raporteve për të dy vendet.

 Deklarata e Plotë:

"Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen evropiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.

Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t'i mbyllet rruga drejt Evropës.

Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë.

Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje.Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik."

EMISIONET