Kërkesa e PD nuk u mor parasysh nga anëtarët e Partisë Socialiste në Këshillin e  Legjislacionit,  duke miratuar një kalendar që shtrihet deri në fund të nëntorit, për të diskutuar propozimin kushtetues  për vetting në politikë.

Kalendari i miratuar nga socialistët, për hedhjen në diskutim të propozimit për vetting në politikë,  parashikon tryeza konsultative me grupet e interesit dhe ekspertë konstitucionalist. Ky moment nga demokratët u lexua si demaskim të përpjekjeve për të futur nismën në kalenda greke.

Alibeaj: Kemi kurajo morale për ta bërë secili individualisht? Për ta pranuar? A kemi një kurajo politike për ta pranuar apo jo vettingun tonë si për gjyqtarët, për prokurorët, për policët, edhe gardistët? Kjo është çështja.

Debate solli edhe hedhja në Komision, nga deputeti socialist Ulsi Manja, e propozimit të kryeministrit Edi Rama, që për nismën e demokratëve ti merret mendim Komisionit të Venecias.

Manja: Është shumë e rëndësishme edhe marrja e një opinioni miqësor nga Komisioni i Venecias, kjo edhe si një traditë e konsoliduar tashmë nga Kuvendi i Shqipërisë.

Alibeaj: E nxorët fytyrën apo jo që tek projekt-kalendari, fillon sot dhe e ke çuar deri matanë Krishtlindjes, thjesht dhe vetëm do ta shtysh në kalendat greke. Me zor e gjeti kohën zotëria për të thënë, ekspertë kërkojmë nga Komisioni i Venecias.

Ishte deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, që parashtroi para Këshillit të Legjislacionit synimin e vettingut në politikë.

Bylykbashi: Qëllimi i dekriminalizimit është mbrojtja e institucioneve publike, qëllimi i vettingut të lidhjeve kriminale është e njëjta gjë. Mbrojtja e institucioneve demokratike nga influencat dhe penetrimi i krimit.

Demokratët argumentojnë se politikanët nuk duhet të kenë asnjë mbrojtje apo privilegj krahasuar me gjyqtarët apo policët. Për këtë ata propozojnë ndryshime në kushtetutë, e më pas tha Bylykbashi të procedohet me miratimin e ligjit për kontroll të imtësishëm të politikanëve për pasuri dhe lidhje me krimin.

Caktohen relatorët dhe ekspertët për vetingun në politikë

Këshilli i Legjislacioni dhe Komisioni i Ligjeve kanë nisur sot shqyrtimin e nismës së propozuar nga opozita për vetingun në politikë. 

Mbledhja ka nisur me debate mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kjo e fundit thotë se qeveria kërkon që të futë këtë amendament në kalendat grek.

Pas debateve, forcat politike kanë përcaktuar relatorët dhe ekspertët. Për PD relator do të jetë Oerd Bylykbashi dhe ekspert Gazmend Bardhi. Ndërsa nga mazhoranca relatore do të jetë Vasilika Hysi, ndërsa ekspertë do të jenë Artur Metani dhe Gledion Llatja.

Pjesë nga debati

Alibeaj: Kjo zgjatje, stërzgjatje që ju keni parashikuar si projekt kalendar nuk është gjë tjetër, veçse që në këtë moment keni filluar të vini në zbatim planin tuaj për ta futur në kalendat greke këtë amendament kushtetues. Ndërsa rregullorja përcakton qartë dy gjëra cfarë mund të bëjë ky komision. Caktimi i relatovrë dhe caktimi i ekspertëve.

Do të duhet tani të vendosim që ky amendament kushtetues të kalojë një orë e më parë.

Ruçi: Si do të kalojë zoti Alibeaj?

Alibeaj: Më dëgjo se do ta them

Ruçi: Po skam si të të dëgjoj, kur thua do të kalojë sa më shpejt. Do zbatohet kushtetuta dhe rregullorja. Që të vijmë te ajo pika që thua ti duket të caktohen relatorët, duhet të caktohen ekspertët. Duhet të mblidhemi ne ti bëjmë pyetje, duhet ti lëmë kohë që të përgjigjen

Alibeaj: Jemi te kalenderi njëherë pastaj te pjesa tjetër

Ruçi: Jo jo, ka rregulla. Kush janë relatorët?

Alibeaj: Relator Oerd Bylykbashi, ekspert Gazmend Bardhi. Ajo që ëashtë detyrim ynë është që të përcaktojmë një orë e më parë….

Ruçi: Do vijmë dhe te ajo pjesë

Alibeaj: Po më lerë ore, pse ke siklet. E kuptoj unë që ju ka mbledhur ai para mbledhjes dhe ju ka thënë bëni cështë e mundur që ta shtyni në kalendat greke


/Ora News.tv/