Cakaj në Poznan: Samiti të japë mesazh për hapjen e negociatave

Cakaj në Poznan: Samiti të japë mesazh për hapjen e

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj thekson se Samiti i Poznan duhet të përfundojë me një mesazh të fuqishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë në tetor.

Duke marrë pjesë në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor me Ministrat e shteteve anëtare të BE-së, mbështetëse të Procesit të Berlinit, Cakaj kërkon që vendet pjesëmarrëse të shprehen qartë në mbështetje të hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Cakaj thotë se platforma zhvillimore e bashkëpunimit rajonal nuk mund të zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Ministri në detyrë Cakaj shkruan në rrjetin social Facebook se mbledhja e ministrave të Jashtëm në Poznan të Polonisë u përqendrua në dy tema kryesore:

“Bashkimi rajonal në shërbim të procesit të integrimit evropian dhe fuqizimi i shoqërisë civile si mekanizëm i patjetërsueshëm i nxitjes së ndërveprimit rajonal,” shkruan Cakaj.

Ai shprehet se Nisma sikurse RYCO dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor janë duke pasur një ndikim mjaft pozitiv në procesin e pajtimit ndëretnik në Ballkan. Ministri në Detyrë përshëndet dhe arritjet e tjera në kuadrin e bashkëpunimit rajonal.

“Marrëveshja për uljen e çmimeve të shërbimeve të roaming, njohja e diplomave dhe kualifikimeve akademike dhe mbështetja e nismave të tjera në shërbim të aftësive teknologjike dhe digjitale do të kenë një efekt të konsiderueshëm në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm profesional dhe ndërveprimit  të thellë doganor në nivel rajonal,” shkruan ai.

Cakaj thotë se përfshirja e shoqërisë civile në strukturat negociatore të interesit nuk është thjesht vlerë e shtuar por detyrim themelor i rrugëtimit evropian.

EMISIONET