Raporti paraprak i OSBE ka gjetur mbështetjen e opozitës. Në një deklaratë për mediat, Oerd Bylykbashi, u shpreh se mesazhi i ODIHR-it sot ishte i qartë, zgjedhjet janë nul.

Bylykbashi theksoi se raporti i sotëm i OSBE-ODIHR ishte më i ashpri në të gjithë vitet.

Bylykbashi: ODIHR u tha shqiptarëve se me 30 qershor nuk pati zgjedhje, ku zgjedhësit shqiptarë të kishin mundësi për të bërë zgjedhje të lira, të ndershme dhe me plot mundësi për ata që t’i përfaqësojnë. Mungesa e zgjedhjes i ka bërë këto zgjedhje nul. ODIHR u tha shqiptarëve se ata nuk patën mundësi për të zgjedhur dhe se kandidatët e qeverisë nuk kishin rivalë. Pavarësisht kësaj, qeveria vendosi të ecte përpara, duke organizuar një farsë me 30 qershor, pa marrë në konsideratë interesin bazë dhe themelor të zgjedhësve, që është e drejta e tyre për të zgjedhur.

Edhe LSI ka përshëndetur gjetjet, ndërsa ka nënvizuar se në 30 qershor shqiptarët nuk kishin mundësi zgjedhjeje.

Vasili: Nga konstatimet e OSBE-ODIHR kemi të bëjmë me zgjedhje të paligjshme. Raporti thotë qartë: “Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit.”

Qëndrimet e opozitës erdhën menjëherë sapo raporterët e OSBE deklaruan se shqiptarët ishin nën presion politik dhe se në shumë bashki kishte vetëm një kandidat.


/Ora News.tv/