Ekstradimi i Seitit, Bylykbashi: Pa u dënuar Tahiri, Rama nuk mund të bëjë drejtësi

Ekstradimi i Seitit, Bylykbashi: Pa u dënuar Tahiri, Rama nuk mund të

Për opozitën shqiptare ekstradimi në shkelje të ligjeve i Nezar Seitit në Itali është një përpjekje e kryeministrit për të sabotuar hetimin e ish-ministrit Saimir Tahiri në dosjen e trafikut të drogës.

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi nga kryesia e Kuvendit tha se shumica nuk mund të bëjë kurrë drejtësi nëse nuk dënohet ish-ministri.

Oerd Bylykbashi: Në vend që të dorëzojë në ekstradim kriminelë të dënuar për trafiqe droge në Itali, si Durim Keçi apo Agron Xhafaj, i liron apo nuk i ekstradon. I liron me vendim gjykate vetëm e vetëm që ata të mos ekstradohen, ndërkohë personat të cilët janë nën hetim për krim të organizuar për trafik droge në çështjen e famshme Tahiri- Habilaj, dëshmitarin kyç si Nezir Seiti i cili është nën hetim nga Prokuriora e Krimeve të Rënda me vendim gjykate e transferon në Itali, vetëm e vetëm që bllokojë dhe të mbyllë çështjen Tahiri – Habilaj.

Sipas PD duke mbrojtur Tahirin kryeministri mbron jo vetëm veten e tij por edhe pushtetin e tij të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.

Oerd Bylykbashi:  Edi Rama është duke bërë çmos që nëpërmjet bllokimit të drejtësisë me reformën që po kap edhe sot nëpërmjet KLGJ-së dhe KLP-së, vë në dispozicion Prokurorinë, Policinë dhe çdo segment tjetër, po bën çmos që të mbrojë Sajmir Tahirin, sepse nëpërmjet mbrojtjes së tij, mbron veten e vet. Ne do të vazhdojmë luftën e fortë, sepse pa u dënuar Sajmir Tahiri dhe kriminelë të tjerë të cilët mbështesin këtë qeveri, Edi Rama nuk mund të bëjë drejtësi për shqiptarët.

Prokurori i Përgjithshëm ka nisur një hetim në lidhje me procedurat e ndjekura për ekstradimin e Nezar Seitit, i cili kishte edhe një proces hetimor nga Krimet e Rënda, çka e bënte ekstradimin e tij të pamundur.

EMISIONET