Busti i Eqerem Çabejt

Busti i studiuesit dhe letrarit të njohur shqiptar, Eqerem Çabejt, nga sot është vendosur në ambientet e Akademisë së Shkencave. 

I pranishëm në aktivitet, Kryeminsitri Rama kërkoi që në vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut, të notohet teza e doktoraturës së Çabejt, e cila sipas tij do të sjellë edhe një debat cilësor për Albanologjinë.

Edi Rama: "Ky vit është viti i 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe në të njëjtën kohë, ky vit, për këdo që mund ta ketë harruar, apo që nuk e di, është viti i 85, apo 86-vjetorit të një thesari kombëtar, tezës së doktoraturës së Eqerem Çabejit, mbrojtur në Universitetin e Vjenës, me titullin “Studime italo-shqiptare” kushtuar horës së arbëreshëve në Sicili.

Unë besoj që Brikena do ta marrë seriozisht botimin dhe rikthimin në jetë të këtij studimi historik, që padyshim do të stimulojë edhe një debat cilësor dhe do të ishte e mrekullueshme sikur ky thesar të niste të debatohej në Samitin e Diasporës, që ne do të mbajmë në 26 dhe 28 nëntor të këtij viti e që do i kushtohet albanologjisë. Albanologjisë së rigjetur si pasion dhe si domosdoshmëri në rrugën e mundimshme drejt njohjes, deri në zbulimin e rrënjës së fundit të bijve të shqipes në krahinat dhe në qindra fshatrat e vendit amë.

Nëse Brikena e merr përsipër këtë sfidë, pa asnjë diskutim që edhe unë dhe të tjerë dashamirës që janë këtu, mbledhur rreth bustit dhe Hektori e tha, pa të cilët busti nuk do të ishte realizuar, jemi të gatshëm që ta mbështesim për të kapërcyer të gjitha pengesat që zakonisht u dalin në Shqipëri të gjithë punëve të mira. Patjetër që atëherë publikimi i këtij thesari do të mbetej, siç Eqerem Çabej ka mbetur, si ajo shprehja që ai vetë shkruante për Naim Frashërin, “frymë nga fryma jonë dhe gjak nga gjaku ynë”.

Duke e konsideruar si një prej fjalimeve më të vështira që ka mbajtur, kreu i qeverisë ngriti lart figurën e Çabejt, dhe kontributin e vyer në kulturën shqiptare.

Edi Rama: "Me  siguri po të ishte këtu, Eqerem Çabej do të na e kishte dhënë pa mundim  fjalën, apo togfjalëshin e duhur në gjuhën tonë të kësaj reference.  Megjithatë, mjeshtëria e Hektor Dules ia ka  dalë ta skalisë për përjetësinë atë çka do të ishte e pamundur të  përmblidhej në një fjali, apo në një paragraf, atë çka Eqerem Çabej la  jo vetëm si gjurmë, por edhe si frymë në të gjithë damarët e trupit të  shqipes." 

Busti i Eqerem Çabejt është vepër e skulptorit të shquar, Hektor Dule.

Foto: LSA 






EMISIONET