Bushi e Bare sfidojnë Spanjën: E njohim forcën e tyre por i mposhtim

Bushi e Bare sfidojnë Spanjën: E njohim forcën e tyre por i

Të enjten në “Selman Stërmasi do të luhet ndeshja zyrtare eleminatore e skuadrës kombëtare U-21 ndaj përfaqësueses së Spanjës, e parafundit për ndeshjet në grupe. Gjatë këtyre ditëve skuadra ka zhvilluar seancat stërvitore, teksa përballë nesër do të ketë një kundërshtar shumë të vështirë, dhe që është kryesues I grupit, sikundër edhe Spanja.

Përpara gazetarëve, trajneri i skuadrës, Alban Bushi, për këtë ballafaqim theksoi:

“I vlerësojmë maksimalisht këto dy sfida. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve. Spanjën e njohim, dhe dihet për potencialet e saj në sulm. Për ndeshjen e nesërme kemi vendosur në momentet e volitshme të sulmojmë, por duke patur shumë kujdes prapa, pasi dihen edhe resurset e skuadrës spanjolle, e cila menjëherë merr ofensivën. Jemi munduar të bëjmë modifikimet e duhura në aspektin difensiv. Problemi i mbrojtjes është një cështje që vijon të mbetet shqetësuese. Dhe nuk është vetëm problem për ekipin kombëtar U-21, por edhe për ekipin e parë. Sidoqoftë kemi marrë masat e duhura respektive në mënyrë që të përballojmë sa më mirë një kundërshtar të fortë si Spanja. Jemi të prirur që këto dy ndeshje të fundit eleminatore, të bëjmë më të mirën tonë, dhe të marrim maksimumin e mundshëm. Gjithmonë duke treguar kujdes dhe duke patur përqëndrimin e duhur deri në fund të takimit”.

Ndërkaq, nga ana e tij edhe kapiteni Kejdi Bare e vlerësoi këtë ndeshje, duke besuar për një paraqitje shumë të mirë të skuadrës nesër, edhe pse përballë do të jetë Spanja:

“Njohim forcën e kundërshtarit, por edhe ne do të bëjmë më të mirën tonë në këtë takim. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve me trajnerin dhe skuadrën. Besojmë në një prezantim shumë të mirë të ekipit, jo vetëm në ndeshjen me Spanjën, por edhe në atë me Estoninë. Por fillimisht, shohim Spanjën, dhe jemi aty të fokusuar”,- theksoi kapiteni Bare.

Takimi zyrtar eleminator Shqipëri-Spanjë zhvillohet ditën e enjte, ora 19.00 në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet.

EMISIONET