Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati gjatë qëndrimit në Bruksel mori pjesë në konferencën ‘Pritshmëri të larta për vitin 2018. Hapi pasardhës i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Ai bëri një paraqitje të detajuar të hapave që ka ndërmarrë qeveria në kuadër të angazhimeve për plotësimin e përparësive kyçe, duke e vënë theksin tek ecuria e zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë si dhe në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar.

Bushati theksoi se, pritshmëritë e qeverisë dhe shoqërisë shqiptare që bazohen në punën e bërë dhe progresin e arritur, e bëjnë vitin 2018 të veçantë dhe përcaktues për hapat e mëtejshëm në konkretizimin e procesit evropian të Shqipërisë. Duke argumentuar mbi rëndësinë që ka marrja e vendimit për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë, Bushati nënvizoi gatishmërinë e qeverisë për t’u angazhuar në këtë ushtrim transformues për vendin dhe shoqërinë.

“Arritjet tona përbëjnë tashmë një bazë solide për përparim thelbësor e cilësor në procesin e integrimit në një sërë fushash parësore, në mënyrë të veçantë për kapitujt 23 dhe 24”, theksoi Bushati.

Ai nënvizoi se Shqipëria ndjehet e inkurajuar nga përforcimi i mbështetjes për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor të shprehur së fundmi si nga Presidenti i Komisionit Evropian Juncker, por edhe nga Presidenti francez Macron.

“Ne shpresojmë që kjo mbështetje të konkretizohet në hedhjen e hapave të mëtejshme në udhëtimin tonë evropian, në përputhje me arritjet dhe meritat tona, për ta çuar marrëdhënien tonë të pakthyeshme me institucionet e Bashkimin Evropian dhe vendet e tij anëtare në nivelin që imponon dinamika e shumëfishuar e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes nesh”.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, Christian Danielson, përgëzoi qeverinë shqiptare për ecurinë e reformave, në mënyrë të veçantë asaj në drejtësi dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së ritmit të tanishëm.

“Dinamika e zhvillimeve në Shqipëri”, theksoi ai, “po krijon një besim në rritje në Bashkimin Evropian se ka ardhur koha për të ecur më tej në procesin e integrimit evropian”. Ai theksoi se në shkurt 2018 Komisioni do të paraqesë strategjinë e zgjerimit dhe në muajin prill do të prezantojë raportin mbi Shqipërinë ku do të paraqiten propozimet e Komisionit mbështetur në analizën e rezultateve të arritura në plotësimin e pesë përparësive kyç.

Raportuesi për Shqipërinë, eurodeputeti Eduard Kukan, theksoi se ai ishte dëshmitar i ndryshimeve të ndodhur në Shqipëri, të cilat, sipas tij kanë krijuar besim tek të dy grupimet e mëdha politike në Parlamentin Evropian për ta ftuar sa më parë Shqipërinë në tavolinën e bisedimeve për anëtarësi.

/Ora News.tv/