Thirrjet antishqiptare në Bularat gjatë ceremonisë së varrimit të ekstremistit Kostandinos Kacifas në thelb dëmtojnë miqësinë mes dy vendeve. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati kur u pyet nga banoret e Gjegjanit gjatë një dëgjese në kuader të llogaridhenies.

Bushati tha se për ata që kanë konsumuar akte të kundraligjshme të ndiqet rruga ligjore.

Bushati: Nëse i referohemi ngjarjes së djeshme ku pamë një shpërfaqje të një ekstremizmi dhe parullave të cilat në thelb dëmtojnë miqësinë mes vendeve tona, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe në këtë pikë mund të them që shrpesoj që policia, forcat e rendit të bëjnë punën e tyre me seriozitetin maksimal dhe të gjithë ata njerëz të cilët kanë konsumuar akte të kundraligjshme të ndiqet rruga ligjore. Detyra jonë është që të mos biem në kurthin që identifikojmë një grup ekstremistësh me popullin grek, i cili në ditë të vështira dhe në ditë të lumtura ka qenë aty krah për krah me ne.

Sa i përket asaj që ndodhi në 28 tetor në Bularat ku Kacifas u vra gjatë një përplasje me policinë, numri 1 i diplomacisë shqiptare u shpreh se Shqipëria ka bërë detyrat shtetërore nji më nji. Ai tha se duhet pritur që organet e hetimit të thonë fjalën e fundit me profesionalizëm.

Bushati: Besoj se nga pikëpamja e detyrave shtetërore ne i kemi kryer ato detyra nji më nji dhe për incidentin fatkeq në Bularat. Shpresoj shumë që prokuroria, policia, organet hetimore ta thonë fjalën e tyre me profesionalizëm dhe ne t'i krijojmë mundësi që ata të shprehen me profesionalizëm për çka ka ndodhur në Bularat, për rrethanat e humbjes së jetës. Një gjë e dimë të gjithë që po vure dorën mbi polici,kudo qofsh nga demokracitë më të zhvilluara, vendet më problematike, dihet se cili duhet të jetë reagimi dhe përgjigja e forcave të rendit.

Bushati sqaron ngjarjen në Bularat me një shprehje të ish-kryeministrit Britanik

Benjamin Disraeli na la një këshillë për të gjitha kohët: “Rrethanat janë përtej kontrollit njerëzor, por sjellja është pjesë e fuqisë tonë. Ne politikanët gjykohemi vetëm nga veprimet tona për të nxitur ose urtësuar situatat”, shkruan Bushati në FB.

Një ditë më parë për ngjarjen reaguan edhe kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Aleksis Tsipras. Ata theksuan se kjo situatë nuk prek marrëdhëniet e mira mes dy shteteve dhe se dialogu do të vazhdojë.

/Ora News.tv/