Bushati prezanton kandidatin e Shkodrës: Do donim një kundërshtar përballë

Teksa prezantoi kandidatët e PS-së për bashkitë e Shkodrës e Vaut të Dejës, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, komentoi edhe vendimin e opozitës për të mos u bërë pjesë e garës. Në cilësinë e koordinatorit për Shkodrën, Bushati tha se PS do të dëshironte kundërshtarë, por kjo nuk ishte zgjidhje e tyre.

Përballë do të preferonin të kishin kundërshtarë. Por fakti se po shkohet drejt zgjedhjeve të 30 qershorit pa opozitën, për ish-ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati nuk është zgjedhje e mazhorancës.

Ditmir Bushati: "Kjo nuk është zgjedhja jonë. Do kishim preferuar që përballë të kishim kundërshtar. Procesi deri më tani ka qenë i hapur. Ne jemi përgatitur me takimet që kemi bërë dhe mendoj që kur vjen puna për Shkodrën kemi shumë se çfarë të propozojmë dhe aq me tepër duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet bashkia sot Shkodër. Nga ana tjetër nuk do të reshtim dhe do t'i bëjmë thirrje deri ditën e fundit qytetarëve që te marrin pjesë në procesin zgjedhor me shpresën dhe bindjen që do të mbështesin Valdrinin dhe ekipin tonë."

Në cilësinë e koordinatorit të qarkut, Bushati prezantoi Valdrin Pjetrin si kandidat për Shkodrën e Mark Babanin për Vaun e Dejës.

Duke i ftuar shkodranët në votime, Bushati tha se socialistët po ofrojnë një vizion të ri për kryeqendrën e veriut, që tashmë është nën drejtimin e demokrates Voltana Ademi.

Ditmir Bushati: "Kam kënaqësinë që të informoj opinionin publik në Shkodër që kandidati jonë për këtë bashki do të jetë Valdrin Pjetri. Ai është nga Shkodra dhe shërbyes publik në disa instituticione të vendit dhe jam i bindur që energjitë, eksperiencën do ta kombinojë me prejardhjen familjare dhe mbështetjen e PS. Do ti ofrojmë Shkodrës një vizion të ri për zhvillim. Ne sot prezantuam dhe listën finale të anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Në listë ka një barazi të plotë në përfaqësimin e grave dhe burrave në Shkodër."

Valdrin Pjetri: "Falenderoj strukturat e PS për besimin e madh që më kanë dhënë duke më shpallur kandidatin e Bashkisë së Shkodrës. Gjatë ditëve në vijim do shpalosim programin tonë."

Bashkë me kandidatët u bënë publike edhe emrat e kandidatëve për këshillat bashkiakë, 51 emra për Shkodrën dhe 46 për Vau Dejësin.

 Lista e Partisë Socialiste me 51 kandidatët për këshilltarë bashkiakë në Shkodër


EMISIONET