Bushati: Pika e re kufitare Shqipëri-Mali i Zi ndërlidh trevat shqipfolëse

Bushati: Pika e re kufitare Shqipëri-Mali i Zi ndërlidh trevat

Kuvendi pritet të votojë sot marrëveshjen për hapjen e pikës së kalimit kufitar Zogaj-Skje, e cila u miratua në 3 korrik ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, duke folur në Kuvend për marrëveshjen, në cilësinë edhe të deputetit të qarkut Shkodër vlerësoi rëndësinë e  hapjes së kësaj pike jo vetëm për lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, po mbi të gjitha ndërlidhjen e trevave shqipfolëse.

Bushati: Flasim për një ndërlidhje mes Shirokës, Zogajt dhe Malësisë së Krajës, apo pjesës së Tivarit, ku përgjithësisht jetojnë shqiptarë dhe është një zonë e cila ka ende mundësi për tu shfrytëzuar pozitivisht për sa i përket potencialit të  turizmit, po mbi të gjitha dhe në kuadër të bashkëpunimit që agjenci të ndryshme turistike kanë ndërmjet dy anëve të kufirit për të shfrytëzuar paketa dhe oferta turisitke të përbashkëta për turistë që dëshirojnë të vizitojnë këtë pjesë të Europës. Pra, në këtë konetkst e gjithë pjesa e liqenit të Shkodrës do të mbulohet dhe do të krijohet një akses shumë më i madh jo thjesht për banorët e zonave përkatëse po dhe për ata turistë që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Elementi i dytë dhe më i rëndësishëm, përtej asaj çfarë është rënë dakord me Malin e Zi ka të bëjë me zhvillimin e zonës.

Bushati: Kemi rënë dakord në kuadër të programit tripalësh Shqipëri-Mali i Zi- Itali, që mbështetet nga fondet e BE për një projekt rreth 7 milionë euro i cili  do të ketë dy objektiva specifikë: E para, vendosjen e një linje transporti multimodal mes Portit të Barit, porit të Shëngjinit dhe portit të Barit në Malin e Zi, spse bëhet fjalë për hapësirën adriatike dhe ndërlidhjen me liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna. 

Dhe së dyti, vendosjen e një transporti liqenor nëpërmjet molit të Virpazarit në Malin e Zi, në molin e Zogajt, Shirokës për të krijuar një mundësi që liqeni të jetë gjithashtu më i rivitalizuar se sa është sot për sot. Ky është një projekt i cili fillimisht do të fokusohet vetëm te transporti i udhëtarëve për ti krijuar mundësi qytetarëve për të lëvizur më shpejtë, në mënyrë më komode dhe nga ana tjetër për ti krijuar mundësi vizitorëve të huaj për të pasur turizmin ditor qoftë në Malin e Zi apo në Shkodër në pjesën e liqenit dhe me perspektivë në fazën e dytë dhe të tretë kjo do të shkojë dhe në pjesë që kanë lidhje me Shëngjinin, Velipojën dhe lumin Bunë.

Ministri Bushati tha se qeveria shqiptare është terësisht e angazhuar për një dimension më të fortë ndër rajonal, ndërkufitar jo vetëm me Malin e Zi dhe me këtë pikë të kalimit kufitar, po siç do të diskutohet dhe tek marrëveshja IPA që do të miratohet sot në Kuvend me Malin e Zi, ka disa projekte të tjera të rëndësishme të cilat janë në funksion të ndërlidhjes së qytetarëve zhvillimit të infrastrukturës mes vendeve tona që flasin qartë për një qasje progresiste të qeverisë tonë dhe politika që e kanë qendrën e vëmendjes tek qytetarët.

EMISIONET