Bushati në takimin e kryediplomatëve në Londër: Bashkëpunimi kusht për sigurinë

Bushati në takimin e kryediplomatëve në Londër:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati,  mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit, si pjesë e Samitit të Londrës kushtuar Ballkanit Perëndimor.

Ministri Bushati, gjatë ndërhyrjes së tij, vuri në dukje se, forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe BE-së për çështjet e sigurisë, si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë operacional, është kusht thelbësor për forcimin e sigurisë rajonale dhe adresimin me sukses të sfidave të përbashkëta në këtë drejtim.

Bushati: Vendet tona përgjatë viteve të fundit kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm drejt vendosjes së paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë rajonal, arritje këto që janë bërë të mundura edhe falë perspektivës së përbashkët evropiane. Procesi i Berlinit patur një rol shumë të rëndësishëm në këto arritje, duke bërë të mundur nga ana tjetër edhe rritjen e një ndjesie “pronësie” ndaj morisë së proceseve bashkëpunuese dhe integruese rajonale.

Ndërkohë, Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe Britanisë së Madhe si organizatorja e Samitit, rikonfirmuan jo vetëm mbështetjen pa ekuivoke ndaj avancimit të perspektivës evropiane të rajonit, por edhe angazhimin e tyre për të forcuar parimin e gjithëpërfshirës, për zhvillimin dhe shndërrimin e Ballkanit Perëndimor në një rajon të qëndrueshëm dhe të sigurt, me mundësi të shtuara për zhvillim dhe prosperitet ekonomik, si edhe për një mirëkuptim dhe gatishmëri të shtuar për zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe dhe tejkalimin e problemeve dhe trashëgimisë së të kaluarës.

Çështjet kyçe që u trajtuan gjatë takimit kishin të bënin me perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit si vlerë e shtuar ndaj sigurisë evropiane, adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, rritjen e përkushtimit dhe hapjen e perspektivave ndaj gjeneratës së të rinjve si aseti më i madh i shoqërive të vendeve të rajonit, si dhe forcimin e angazhimeve të vendeve të rajonit ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

EMISIONET