Nga foltorja e kuvendit deputeti Ditmir Bushati ngriti shqetësimin për situatën në të cilën po kalon vendi: Krizë vlerash, grykësi, pafytyrësi, kapitalizmi grabitqar  dhe përqëndrim i të ardhurave për një grusht njerëzish që vazhdojmë të eksportojmë kapitalin njerëzor 

Ditmir Bushati: "Ajo që duhet të na bëj përshtypje është fakti që 30 vite më pas, 20 vite më pas, 10 vite më pas, ne jemi në një gjendje ekonomike më të mirë se çmund të kemi qenë para pak kohësh por për fat të keq jemi duke përjetuar një krizë vlerash, dhe kjo krizë vlerash nuk vjen thjesht nga mungesa e të mirave por nga padrejtësia, nga aksesi dhe shpërndarja e të mirave. Kjo krizë nuk vjen nga përtacia, as nga mungesa e dëshirës që një qeverie për t'i mbajtur shqiptarët brenda atdheut por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës. Kjo krizë nuk vjen nga e ashtuquajtura injorancë e turmës por nga grykësia dhe pafytyrësia dhe paaftësia mbi të gjitha për të ndërtuar një sistem vlerash. 

Na duhet që të ndërtojmë një sistem vlerash. Ne na duhet që të jemi të drejtë dhe të sinqertë sepse e kuptojmë se kapitalizmi grabitqar që kemi ndërtuar këto 30 vite të gjithë së bashku, kush më shumë dhe kush më pak, nuk premton për të bërë një hap gjigant përpara. Nuk premton për të ndërtuar tregimin tonë si komb, për të ndërtuar narrativen tonë."

Mjaft me patriotizmin fals
Nuk mjafton më patriotizmi nëpër stadiume por duhen objektiva strategji për ta bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm dhe më të drejtë. Për këtë solli shembullin e Izraelit.

Ditmir Bushati: "Ne nuk mund të themi më që jemi komb shqiponjash, vendi i shqiponjave, s'mund të themi dot dhe vetëm  që jemi kombi i Skënderbeut, Nënë Terezës. Nuk mund të përdorim një parti patriotizëm fals vetëm kur mbushim stadiumet tona dhe brohorasim për Kombëtaren tonë dhe kur vijnë edhe shqiptarë nga viset e tjera për të brohoritur. Ne na takon që sot të biem të gjithë së bashku dhe të përcaktojmë se cilat do të jenë qëllimet e kombit tonë për 10,20, 30, 40, 50 vitet e ardhshme, se ku do të jetë Shqipëria, se çfarë toke do të jetë Shqipëria. Mund t'ju marr rastin e Izraelit, një vend në mes të shkretëtirës, sot një nga vendet më të zhvilluara në botë. Pse? Sepse izraelitët vendosën një qëllim, vendosën një objektiv, kërkuan që vendin e tyre ta bënin vendin e dijes. U bazuan te ekonomia e dijes dhe inovacionit. I thanë botës që toka e tyre është e bekuar. Le të mos futemi tek ky debat historik, por objektivat që duhet të përcaktojë një komb janë të domosdoshme dhe këto objektiva duhet të kenë gjithashtu diasporën në pararojë të tyre." 

Duhen objektiva
Ish ministri i Jashtëm nënvizoi domosdoshmërinë e përcaktimit të objektivave duke përfshirë dhe diasporën. 

"Më kujtohet një nga debatet me njerëzit në diasporë në Boston, në Universitetin e Harvardit, kur një prej shqiptarëve më të mençur që unë kam njohur tha: "E di si është kjo punë, ne të diasporës kemi arrit një standard të caktuar jetese dhe jemi nga ata njerëz, po ta them në mënyrë cinike, a ke nevojë për çadër kur ka dalë dielli". Pra na takon ne në radhe të parë që ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm. Ne në radhë të parë ta bëjmë këtë vend më të drejtë. Ne ta brendojmë këtë vend, ti vendosim etiketën këtij vendi se përçfarë duhet të njihemi."   

Ne të gjithë këtu, para se ta drejtojmë gishtin njëri-tjetrit, duhet t'i bëjmë pyetjen vetes: Ku isha unë, dy tre javë, dy tre muaj, dy tre vite para se Bashkimi Europian të merrte vendimin për Shqipërinë . 
Miq mos ta harrojmë, Europa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 500 të tjera. Po, ne a do ja falim vetes? Në rast se ne do ja falim vetes, çfarë do thonë fëmijët tanë. Kur kam qenë student në Holandë, tregonin rastin e Shqipërisë për 95-96, për humbjen e shancit historik për të pasur një marrëveshje asocimi.

Unë nuk dua që vajza ime dhe djali im nesër të mësojnë të njëjtën histori që kam mësuar unë për 95-96 në 2015 në 2020 në 2025 a në 2035. 

Kjo nuk është një çështje e majtë e djathtë, po nëse doni si socialist, si progresist , si politikan, si qytetar, më  shqetëson përqendrimi i të ardhurave në një grusht njerëzish. Më shqetëson prirja jonë për zgjidhje të lehta, në vend që të punojmë për modele të qëndrueshme. 
Edhe pse kam respekt maksimal për kapitalin, më shqetëson që në vazhdojmë të eksportojmë kapital njerëzor 30 vite pas shembjes së regjimit komunist. 

Më shqetëson që ne nuk kemi ende dot një partneritet besimi dhe zhvillimi të qëndrueshëm me diasporën. Më shqetëson fakti që edhe pse duam një orë e më parë të hapim procesin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, nuk kemi 1, 2, 5, 50 njerëz nga diaspora që të vijën këtu të punojnë me ne për ta modernizuar Shqipërinë, për ta demokaratizuar Shqipërinë, që të vijnë këtu dhe të ndërtojnë një sistem gare, një sistem më të drejtë, një sistem më të qëndrueshëm. Për ta brenduar pse jo Shqipërinë, si e para në trendin e Europës në këtë rajon."  

Sot në Kuvend u diskutua pr/ligji për ratifikimin e marrëveshjes për mbrotjen shoqërore ndërmjet republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë"

/Ora News.tv/