Bushati: Basha të tregojë të vërtetën e 500 mijë dollarëve. Reagon PD

Bushati: Basha të tregojë të vërtetën e 500 mijë

Partia Socialiste i ka kërkuar Lulzim Bashës që të japë sqarime para drejtësisë dhe shqiptarëve për lidhjet e tij me kompaninë ruse që kanë paguar rreth 1 milionë dollarë për lobim. Socialistëve iu përgjigj deputeti Enkelejd Alibeaj i cili tha se konspiracionet me rusët nuk e shpëtojnë dot Ramën nga krimi, duke e akuzuar se vëllai i tij është "peshku i madh" i kokainës.

Partia Socialiste ka shfrytëzuar edhe këtë të dielë për të akuzuar opozitën për lidhje me rusët nëpërmjet lobimit në Shtetet e Bashkuara. Deputeti Ervin  Bushati përmendi një shumë prej 675 mijë dollarë të dhënë firmës lobuese Muzin Capital Partners”.

Bushati: Ndërkohë “Biniatta Trade LP”, një kompani e regjistruar në parajsa fiskale, e zotëruar nga dy biznesmenë rusë, jo vetëm që deklaron një pagesë prej 150 mijë dollarësh të tjera në favor të firmës lobuese të Lulzim Bashës, por në kontratën e saj parashikohet edhe një tjetër pagesë prej gjysmë milioni dollarësh, të cilën Lulzim Basha nuk e mohon, por refuzon të tregojë burimin e kësaj shumës tjetër prej gjysmë milion dollarësh.

Pra, gjysmë milionë dollarë i paskan shkuar firmës private nga 100 shqiptarë, për të cilët Lulzim Basha vetëm ka dëgjuar që ekzistojnë por nuk i di as kush janë; gjysmë milioni tjetër, sipas Lulzim Bashës, firma i paska marrë nuk dihet se nga kush dhe i paska vënë në dispozicion të tij e të Partisë Demokratike për të paguar propagandën opozitare kundër Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çfarë është kjo sallatë ruse parash, kompanish fantazmë, donatorësh të panjohur, bamirësish të papërmbajtur, ku plot 1 milion dollarë janë hedhur për fabrikën e baltës së Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike pa dijeninë e këtij të fundit?!

Kjo është një nga ato ngjarje kriminale e amorale që e ulin aq poshtë politikën, sa nëse mbeten të pandëshkuara, nuk turpërojnë vetëm autorët e ngjarjes, por të gjithë klasën politike dhe vetë shoqërinë e shtetin ku ndodhen.

Prandaj një orë e më parë, Lulzim Basha duhet të tregojë në Prokurori se kush i ka pagur gjysmë milion dollarët e deklaruara nga firma lobuese “Muzin Capital Partners”, nëse ato nuk i ka paguar Partia Demokratike siç deklarohet në kontratën që ka për palë Lulzim Bashën?!

Ai duhet të tregojë po ashtu, pse janë paguar nga kompania ruse “Biniatta Trade LP” 500 mijë dollarë për PD-në, siç del në kontratën e kësaj të fundit? Çfarë arsyeje kanë pasur rusët në fjalë të paguajnë Lulzim Bashën?

Dhe po ashtu, Lulzim Basha duhet të përgjigjet në Prokurori se çfarë janë ato 500 mijë dollarë të tjerë, që ai thotë se janë paguar nga 100 shqiptarë në ShBA? Kush janë këta shqiptarë që kanë hedhur lekët e kanë fshehur dorën, sipas Lulzim Bashës?!

Kjo histori ka një anë tjetër shumë të errët që duhet zbardhur medoemos, për të kuptuar nëse është cënuar interesi kombëtar dhe kërcënuar stabiliteti i vendit.

Përse një kompani e huaj, për më tepër guaskë dhe specifikisht në pronësi ruse, merr përsipër të paguajë 150 mijë apo 650 mijë dollarë në favor të Lulzim Bashës?!


Çfarë mund t’u ketë premtuar lideri i opozitës sipërmarrësve rusë në kulmin e fushatës elektorale, vetëm pak javë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme?

Këto përgjigje Lulzim Basha ka detyrimin t’i japë përpara opinionit publik shqiptar, por edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.

E sigurisht duhet t’i japë përpara institucioneve të drejtësisë, detyra e të cilave është të hedhin dritë një orë e më parë mbi “sallatën ruse” të gatuar nga Lulzim Basha.


Deri më sot, zoti Basha ka folur pak ose aspak. Sa herë ka folur, e ka rënduar edhe më shumë pozicionin e tij duke dhënë dëshmi kontradiktore ose, si gjithmonë, duke ia vënë fajin përkthimit të gabuar.

Por është koha që zoti Basha t’i përgjigjet një pyetjeje shumë të thjeshtë:

Cila është lidhja e tij personale me kompaninë guaskë ruse “Biniatta Trade LP”, e cila ka paguar nga 150 mijë deri në 650 mijë dollarë për fushatën e zotit Basha? Dhe nëse është e vërtetë se kjo kompani ruse ka paguar vetëm 150 mijë dollarë, kush e ka paguar gjysmë milionin tjetër që deklaron firma lobuese “Muzin Capital Partners”?

Dhe përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet të jenë të sakta e të qarta; jo përgjigje në formën e kundërakuzave, as përgjigje përgjithësuese, pasi pyetja është shumë e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë.

Alibeaj: Akuzat qesharake për konspiracion rus nuk fshehin Olsi Ramën e Tahirin

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, thotë se akuzat për konspiracion rus nuk e ndihmojnë kryeministrin Rama për të fshehur dy të vërteta të mëdha. Sipas tij, Rama po bën gjithçka për të shpëtuar Saimir Tahirin, duke shtuar se Olsi Rama është një nga peshqit e mëdhenj të kokainës kolumbiane.

Alibeaj: Akuzat qesharake për konspiracion rus nuk mund ta ndihmojnë Edi Ramën të fshehë 2 të vërteta të mëdha, se ai po bën gjithccka për të shpëtuar Saimir Tahirin nga burgu dhe se vëllai i tij, Olsi Rama, është një nga peshqit e mëdhenj të kokainës kolumbiane.

Që kur 613 kilogramët e kokainës u kapën me ndihmën e partnerëve të huaj, Kryeministri i vendit është zhdukur nga qarkullimi dhe nuk jep përgjigje se çfarë lidhje ka Olsi Rama me një nga kartelet më të rrezikshme të drogës kolumbiane dhe cili ishte roli i Olsi Ramës në ngarkesën e 613 kilogramëve kokainë të pastër.

Edi Rama hesht dhe nuk u thotë shqiptarëve përse është takuar fshehurazi me Saimir Tahirin të premten paradite në një nga spitalet private të Tiranës. Është detyrim i kryeministrit të vendit të flasë për marrëdhënien e tij me Saimir Tahirin, duke mos mbajtur më peng integrimin europian të vendit. Edi Rama e di shumë mirë se pa i hequr mbrotjen politike ish ministrit të tij të brendshëm, Shqipërisë nuk do t'i hapen negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Politikën në Shqipëri nuk e ulin poshtë skemat e trasha të Edi Ramës me rusë, spiunazh dhe destabilitet, por është bashkëqeverisja e tij me krimin rreziku më i madh për stabilitetin e Shqipërisë dhe rajonit. Është biznesi i tij familjar me kartelet e kokainës, mbrojtja e Saimir Tahirit dhe shndërrimi i vendit në parajsën e drogës akti më antikombëtar i Edi Ramës.

EMISIONET