Bushati: Javën tjetër takim ekspertësh me Greqinë për kufizimin e zonave detare

Bushati: Javën tjetër takim ekspertësh me Greqinë për

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, thotë se ka vonesa në negociatat me Greqinë, duke shtuar se javën tjetër do të ketë një raund negociatash në nivel ekspertësh. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Bushati tha se është e rëndësishme që të ketë një marrëveshje sa më të drejtë.

Bushati: Ka pasur vonesa për shkak të situatës së brendshme, por edhe për shkak të nevojës për një akordim më të mirë nga ana jonë. Javës tjetër do ketë një takim në nivel ekspertësh për kufizimin e zonave detare. I gjithë procesi i bisedimeve me Greqinë, është futur në hullinë e normalitetit. Do të vazhdojmë të komunikojmë me opinionin publik pas çdo raundi bisedimesh dhe nga ana tjetër, jo çdo gjë që ka të bëjë me taktikat e bisedimeve mund t'i komunikohet opinionit publik. Është e rëndësishme që të kemi një marrëveshje sa më të mirë sa më të drejtë dhe sa më të zbatueshme. Ka shumë gjëra që mund të na bashkojnë me Greqinë.

Për sa i përket çështjes çame, kryediplomati tha se dy vendet kanë koncepte të ndryshme.

Bushati: Çështja çame është e përfshirë në programin politik të qeverisë nga 2013. Mënyra si konceptohet kjo çështje është e ndryshme. Kjo është një çështje e lirive dhe e të drejtave themelore të njeriut. Është një çështje që ka të bëjë me përgjegjësinë individuale, e të drejtave pronësore. Është një çështje që ka të bëjë edhe me të drejtën e kujtesës me atë që ka ndodhur. Ne nuk duhet të mbetemi peng të historisë, por të gjejmë rrugë që zbusin plagët e të kaluarës.

EMISIONET