Bushati dhe Kotzias takohen në Bruksel

Bushati dhe Kotzias takohen në Bruksel

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati është takuar në Bruksel me homologun grek, Nikos Kotzias. 

Vetë ministri bëri publik takimin me ministrin e jashtëm të Greqisë përmes postimit të një foto të takimit të tij. Ministri informon se takimi është bërë në kuadër të takimit të ministerialit të NATO-s. Ky është takimi i dytë në pak javë pas atij në Kretë. 

Në një intervistë të pak ditëve më parë në Voa duke folur për takimin në Kretë, ministri Bushati tha "Ne kemi shtruar të gjitha çështjet që datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore deri në ditët e sotme. Besoj se jemi në një rrugë më të mirë seç kemi qenë. Do të ketë një raund tjetër në janar, këtë herë në Shqipëri, ku ne do të vazhdojmë mbi ato diskutime që kemi bërë, sidomos gjatë takimit të fundit në Kretë."

I pyetur se cilat janë disa nga çështjet më të vështira për të cilat po diskutoheshin Bushati u pergjigj: " Besoj se është krejt e qartë për opinionin publik që çështjet e një natyre historike mbartin një lloj sensibiliteti të caktuar për palët, sikundër çështjet që kanë të bëjnë me delimitimin e shelfit dhe zonës ekskluzive ekonomike, apo një përcaktim më të mirë të gjithë regjimit kufitar, që duhet të ekzistojë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, është një çështje që kërkon një vëmendje të posaçme nga të dyja palët dhe ne po përpiqemi për të punuar në këtë drejtim."


EMISIONET