Bushati: Bashkëpunimi mes Ballkanit Perëndimor jo aty ku duhet, s'ka vullnet politik

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për më shumë bashkëpunim, që sipas tij ka munguar për shkak të mungesës së vullnetit politik.

"Kemi nevojë për të vendosur më shumë theksin tek pajtimi, i cili lidhet drejtpërdrejt dhe me vullnetin politik për të bashkëpunuar dhe vijuar me proceset për të cilat kemi rënë dakord me parë. Bashkëpunimi ende nuk është aty ku duhet për shkak të mungesës së vullnetit politik për të hequr barrierat, e kjo bie më shumë në sy në ndërlidhshmërinë energjetike. Një gjë e tillë ndikon jo vetëm zhvillimin, por edhe klimën e bashkëpunimit që po mundohemi të krijojmë në rajonin tonë. CEFTA gjithashtu duhet të interpretohet në raport me angazhimet e tjera që çdo vend ka ndërmarrë." - tha Ministri Bushati.

Bushati në takimin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor (BP6), i cili u zhvillua më 30 nëntor në qytetin e Budvës të Malit të Zi theksoi nevojën për veprime konkrete edhe në drejtim të roaming-ut dhe komunikimit të telefonisë celulare, duke mos anashkaluar çështjen e njohjes së ndërsjellë të diplomave dhe kualifikimeve profesionale, çështje kjo e cila ka vite që diskutohet por që ende nuk është zgjidhur.

"Ne nuk mund të kemi qëndrime të ndryshme bashkëpunimi, një për BP6 si  platformë e cila mbështetet nga aktorë të rëndësishëm të BE-së, dhe nga ana tjetër të jemi përzgjedhës në bashkëpunim në platforma të tjera rajonale. Nëse duhet të kemi bashkëpunim të njëmendtë mes njëri tjetrit, duhet t’i qëndrojmë principeve "- u shpreh më tej ministri Bushati.

 Gjatë këtij takimi, Bushati i kushtoi një rëndësi të veçantë dhe perspektivës së integrimit në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ndërkohë që ne vazhdojmë të bëjmë “detyrat e shtëpisë” presim të njëjtën nga vendet anëtare të BE-së”, u shpreh ai.

Takimi i Budvës i BP6 i përfundoi punimet duke dalë me një tekst të përbashkët, tekst për të cilin nga pala shqiptare u insistua që të miratohej me konsensus rëndësia e respektit të ndërsjellë të marrëveshjeve rajonale.

EMISIONET