Parlamenti i Bullgarisë ka miratuar një plan për të shpenzuar 2 miliardë dollarë për të blerë 150 makina ushtarake dhe 16 avionë të rinj luftarakë, të cilët do të zëvendësojnë avionët e prodhimit sovjetik MiG-29.

Ky vendim vjen pas shqetësimeve të pilotëve ushtarakë të vendit, të cilët refuzuan që të fluturonin me avionët sovjetikë, për shkaqe të sigurisë, pasi ata janë të vjetruar, duke përshpejtuar kështu kërkesat për blerjen e avionëve të rinj.

Bullgaria i është bashkuar NATO-s më 2004, por çështja e me çfarë avionë do të zëvendësojnë avionët MiG, ka vazhduar për më shumë se një dekadë.

NATO ka inkurajuar anëtarët e saj lindorë që të zhvillojnë apo të blejnë pajisje të reja nga anëtarët perëndimorë të aleancës.

Bullgaria ka thënë se e ka ndërmend që të blejë avionë luftarakë nga Shtetet e Bashkuara, Portugalia, Italia, Franca, Suedia dhe Izraeli.

Sipas planit të miratuar në Parlament, avionët që t’i blejë Bullgaria, duhet të jenë në përputhje me standardet e NATO-s.

Rreth 1 miliard dollarë do të përdoren për të blerë tetë avionët e parë, si dhe për trajnimin e ekipeve dhe për mbështetje logjistike.

Bullgari po ashtu do të shpenzojë rreth 1 miliard dollarë në makina të blinduara për tri batalione të këmbësorisë. (Radio Evropa e Lire)

/Ora News.tv/