Gianluigi Buffon i jep lamtumirën Juventusit! Në një konferencë për shtyp portieri legjendar bardhezi dhe i kombëtares italiane deklaroi se e shtuna do të jetë ndeshja e fundit  me "Zonjën e vjetër".

 “Dua të falënderoj presidentin, Juventus për mua është diçka më shumë. Në këto vite kemi krijuar një marrëdhënie unike”.

“Ajo e së shtunës do të jetë ndeshja ime e fundit me Juventus-in, besoj se është mënyra më e mirë për ta mbyllur këtë aventurë. Nëse jam akoma këtu në moshën 40-vjeçare, kjo ka ndodhur vetëm falë Juventus, që mori një talent të jashtëzakonshëm në 2001-in dhe e ktheu atë në kampion. Do t'i jem gjithmonë mirënjohës kësaj shoqërie që më bëri një kampion”.

Por e ardhmja e numrit 1 të Juventusit nuk është ende e qartë. Gardiani i portës bardhezi shprehet se ende nuk ka vendosur nëse do tërhiqet përfundimisht nga futbolli.

“Çfarë do të bëj? Të shtunën do të luaj dhe kjo është e vetmja gjë e sigurt. Kam një marrëdhënie unike me presidentin dhe ai e di se çfarë po ndodh rreth meje. Është një këshilltar nga i cili nuk dua të heq dorë. Deri para 15 ditësh dihej se do të tërhiqesha, por tani kanë ardhur disa oferta stimuluese brenda dhe jashtë fushës”.

“Pas këtyre ditëve të mbushura me emocione të forta, besoj se javën e ardhshme do të jem në gjendje të marr një vendim përfundimtar”.

Edhe me kombëtaren italane është një kapitull i mbyllur për legjendarin Buffon. 

"Më 4 qershor nuk do të jem në fushë. Nuk dua të jem një peshë," tha ai i emocionuar.


/Ora News.tv/