Qindra mijëra persona kanë protestuar në Budapest kundër rizgjedhjes së qeverisë së djathtë të kryeministrit hungarez Viktor Orban. Kundërshtarë të tij ju drejtuan rrugëve të kryeqytetit të shtunën në një protestë, sipas tyre, kundër sistemit të padrejtë zgjedhor të vendit. Marshi u organizua përmes një grupi në Facebook, të quajtur “Ne jemi shumica”, të cilët akuzuan zotin Orban për vjedhje të zgjedhjeve, korrupsion dhe abuzim me pushtetin, që për protestuesit janë kthyer në karakteristika të qeverisjes së kryeministrit.

Pjesëmarrësit e këtij marshi, më së shumti të rinj, kërkuan rinumërim të votave, një ligj të ri zgjedhor, media publike asnjëanëse dhe një bashkëpunim më të mirë mes partive opozitare. Ndërkaq, nisur nga interesi i madh për tubimin e së shtunës, organizatorët kanë paralajmëruar për një valë të re protestash fundjavën e ardhshme. Sipas tyre, 100.000 persona kanë marrë pjesë në marshin e një dite më parë.

I pyetur për perspektivën e demonstratave në vijim, kryeministri Orban ishte i prerë në përgjigjen e tij: “Ne fituam. Kaq ishte.” Kujtojmë se 54-vjeçari fitoi një mandat të tretë në pushtet në zgjedhjet e 8 prillit, pasi fushata e tij anti-emigracion i siguroi shumicën parlamentare partisë qeverisëse Fidesz.

/Ora News.tv/