Banka e Shqipërisë ka nisur hartimin e një ligji të plotë për të nxitur pagesat online. Guvernatori i Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se vendi ynë është i vonuar në këtë drejtim  në një kohë që gjithçka po realizohet nëpërmjet teknologjisë.

Sipas Sejkos, synim mbetet ulja e përdorimit të parave cash por edhe shmangia e rradhëve dhe lehtësimit të procedurave.

Sejko: Në kushtet e tregut shqiptar, i cili karakterizohet nga një përfshirje dhe edukim financiar i ulët, si dhe shërbime të ofruara me kosto relativisht të larta, synimi ynë do të jetë nxitja e sistemit bankar në ofrimin për qytetarët të shërbimeve lehtësisht të aksesueshme e me kosto efektive, duke mbështetur kështu objektivin e një përfshirjeje më të gjerë financiare.

Në Shqipëri, ky zhvillim është ndjeshëm më i vonuar se në vendet e tjera, me të cilat ne synojmë të përafrohemi në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian, ndaj promovimi i tij merr akoma më shumë vlerë e rëndësi jo vetëm në kuadër të këtij integrimi, por edhe më gjerë, në tregjet ndërkombëtare.

Numri dy i qeverisë shqiptare që e mbështeti nismën tha se të parët që do ta kalojnë këtë sfidë do të jenë institucionet.

Mesi: Nxitja dhe zhvillimi më tej i pagesave online për detyrimet e të gjithë institucioneve shtetërore përmes e-pagesave sikundër dhe ishin shembujt e sipërpërmendur dhe nxitja e përdorimit të gjithë instrumentave të pagesave. Besoj fuqishëm se bashkëpunimi mes dy sektorëve privat dhe publik në këtë drejtim ka një rëndësi të veçantë për të realizuar ato objektiva dhe për të pasur rezultate sa më të mira.

Në mbështetje të këtyre nismave, Banka e Shqipërisë po synon që të fusë në treg shërbimin Instant Payment, e cila bazuar edhe në eksperiencat ndërkombëtare vlerësohet se do të sjellë një reformim në tregun e pagesave nga pikëpamja e dixhitalizimit.


/Ora News.tv/