Bankat e nivelit të dytë kanë përmirësuar dhënien e kredive në tre muajt e parë të këtij viti. Në analizën e Bankës së Shqipërisë theksohet se kredia për biznese u  rrit me 6 miliardë lekë. Por pavarësisht kësaj, për individët kreditimi ka qenë i zbehtë e lidhur kjo sidomos me huatë për konsum. Ndërsa interesant është fakti që kreditë për individë kanë njohur rritje edhe në rrethe.

Biznesi ka marrë më shumë kredi në tre muajt e parë të këtij viti.

Banka e Shqipërisë konstaton se kredia për biznese u rrit me 6 miliardë lekë, duke ndjekur përmirësimin e shfaqur në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Shpërndarja  sipas  sektorëve,  tregon  se  bankat  kanë  mbështetur  me  financim  bizneset  e  sektorit  të  industrisë  dhe  më  pak  ato  të  tregtisë dhe të ndërtimit.

Rritja e këtyre portofolave kompensoi tkurrjen e kredisë për bujqësinë dhe  për  “shërbimet  e  tjera”,  ndërsa  kredia  për  sektorin  e  ndërtimit  është  ngadalësuar.

Po kjo nuk ka qenë e njëjta tendencë përsa i përket kredisë për qytetarët.

Gjatë  tremujorit  të  parë  të  vitit,  kredia  për  individë  është  rritur  me  ritme  më  të ulëta se në fund të vitit 2018.

Ky ngadalësim ka reflektuar më së shumti dobësinë  e  kredisë  konsumatore  dhe  rritjen  e  qëndrueshme  të  kredisë  për  banesa.

Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë konstatohet se në kryeqytet qytetarët kërkojnë më shumë kredi për blerjen e një banese ndërsa ajo konsumatore është më e përhapur në rrethe.

Po ashtu mësohet se kreditimi ka pësuar rritje edhe në rrethe e sidomos në zonat bregdetare.

Por përtej kësaj ecuria e kredisë për biznese mbetet e brishtë,  e lidhur kjo si me  mungesën  e një kërkese të qëndrueshme për kredi ashtu edhe nga qëndrimi konservator i bankave për të.

/Ora News.tv/