Sejko: Shqipëria kostot më të larta në rajon për remitancat, sillen në kanale informale

Sejko: Shqipëria kostot më të larta në rajon për

Emigrantët shqiptarë i sjellin të ardhurat në Shqipëri në mënyrë informale.Guvernatori i bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi se kjo situatë vjen pasi Shqipëri ka koston më të lartë të dërgimit të parave në rajon.Për të përmirësuar situatën Sejko premtoi angazhim të Bankës së Shqipërisë .Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko  i kërkoi sistemit bankar që të prezantojë si duhet mundësitë e investimeve   sidomos në diasporë.

Emigrantët shqiptarë i sjellin të ardhurat pranë familjeve të tyre në mënyrë informale për shkak të kostos së lartë.Shqetësimi është ngritur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili deklaroi se Shqipëria ka kostot e më të larta të dërgimit të parave krahasuar me rajonin. Për të ndryshuar situatën Banka e Shqipërisë kërkoi përmirësim të legjislacionit.

Sejko: Sipas vrojtimit të Bankës Botërore të kryer në vitin 2016, është arritur në konkluzionin se arsyet për përdorimin e ulët të kanaleve bankare janë kostot e larta të transferimit të parave, dhe se procedurat e transferimit vlerësohen të koklavitura. Për ta konkretizuar, sipas këtij studimi, kostot e dërgimit të remitancave në Shqipëri vlerësohen në 9.4% të shumës së dërguar, krahasuar me një mesatare të rajonit, në nivelin 7.2%.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që sa më shumë të rritet përdorimi i kanaleve financiare, aq më shumë rritet depërtimi i financave në ekonomi. Për më tepër, rritja e përdorimit të kanaleve financiare ndihmon në rritjen e përfshirjes financiare të popullatës, duke rritur mundësitë për kursime dhe investime sa më produktive.

Duke vlerësuar përfitimet që rrjedhin nga depërtimi formal i remitancave në ekonomi, dhe kontributin e deritanishëm të sektorit bankar dhe financiar, Banka e Shqipërisë sugjeron një vëmendje më të shtuar në drejtim të reduktimit të kostove të transfertave, dhe përmirësimit ose dizenjimit nga e para të produkteve dhe shërbimeve të dedikuara për këtë segment të popullatës. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë angazhohet në modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturave të sistemeve të pagesave, apo përshtatjen e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian, në funksion të një tregu të hapur, pa barriera dhe konkurrues.

Për këtë qëllim u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi me Ministrin e Diasporës.

Sejko: Synimi i tij është rritja e ndërgjegjësimit, lehtësimi i dialogut dhe nxitja e bashkëpunimit të efektshëm midis palëve për çështje që kanë të bëjnë me kontributin e dërgesave në para nga emigrantët shqiptarë në diasporë, për zhvillimin e ekonomisë. Këtë angazhim të përbashkët që po marrim sot, e vlerësoj si hapin e parë të domosdoshëm të një platforme zhvillimore për fuqizimin dhe përdorimin më efektiv të remitancave.

Duke mos dashur të zgjatem më shumë, në fund të fjalës sime, do të doja të theksoja edhe njëherë se ka ardhur koha që të tregojmë më shumë kujdes, vlerësim dhe mirënjohje për ata dhjetëra-mijëra bashkatdhetarë, të cilët mes sakrificash të shumta, vazhdojnë të kontribuojnë në mirëqenien e kombit tonë, duke sjellë pjesë të kursimeve pranë familjeve të tyre.

Ne inkurajojmë të gjithë industrinë bankare dhe aktorët e tjerë të sistemit financiar që të kontribuojnë në këtë iniciativë, me vizion dhe produkte konkrete, për vetë faktin se ju mund të luani një rol të veçantë në mobilizimin sa më efikas të remitancave.

Ndërkohë Ministri i Shetit për Diasporën Pandeli Majko kërkoi më shumë vëmendje nga sistemi bankar për të thithur investime sidomos nga diaspora.

Majko: Tregu bankar është krenaria e Shqiërisë për stabilitetin e vet. Kjo tryezë është vetëm vlerësim dhe besoj të shërbejë në një dialog që i shërben atij dhe forcimit të tij.Tregu bankar është fillimi dhe fundi i konkluzionit të krijimit të një ambienti të favorshëm në vendlindje për diasporën shqiptarë. Ofrimi i informacionit për mundësitë e investimeve në vendlindje shë shërbimet bankare janë ftesa për të ardhme të ndryshme ekonomike. Anëtarët e diasporës duhet të jenë në gjendje të investojnë në Shqipëri nën këshillat e ftohta të sistemit bankar. Qeveria nuk mund ta zëvëendësojë partneritetin e përkohshëm të saj me këshillën gjakftohtë dhe afatgjatë që vjen nga tradita bankare.Jam shpresëplotë se në të ardhmen ky takim do të ndryshojë drejtim.

Të ardhurat nga emigrantët janë rritur me 4% gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, ndërsa  në nëntë muaj në Shqipëri kanë hyrë 464 milionë euro.

Pas vitit 2015, remitancat kanë nisur një rritje të lehtë  pas rënies së ndjeshme në vitet e para të krizës ekonomike të Eurozonës.

TË ARDHURAT  NGA EMIGRANTËT

Tremujori i  tretë  2017          166 mln euro

Tremujori i tretë 2016 160 mln euro

Tremujori i tretë  2015 140 mln euro





EMISIONET