Ministria serbe e financave do të drejtohet përkohësisht nga kryeministrja e vendit, Ana Brnabic. Vendimi i qeverisë serbe erdhi pas dorëheqjes së Dushan Vujoviç nga ky post, më 7 maj. Ndërkohë, nuk ka ende një datë konkrete dhe një emër zyrtar se cili do të pasojë Vujoviç në krye të financave serbe.

Kryeministrja serbe Ana Brnabic ka marrë zyrtarisht postin e ministres së financave, deri në emërimin e pasardhësit të Dushan Vujoviç, i cili braktisi postin më herët gjatë këtij muaji.

Në një deklaratë të shkurtër, qeveria serbe deklaroi se Brnabic do të shërbejë përkohshësisht në postin e shefes së financave, ndërkohë që nuk specifikoi se kush do të bëhet pasuesi i Vujoviç apo kur do të ndodhë emërimi.

Një ish-ekonomist i Bankës Botërore, Dushan Vujoviç dha dorëheqjen në 7 maj, për shkak të arsyeve personale. Ai kishte shërbyer në dy qeveri që prej vitit 2014 dhe ka negociuar një marrëveshje kredie 3-vjeçare prej 1.2 miliardë eurosh me FMN, të cilën Serbia e përfundoi me sukses në shkurt, pa tërhequr fonde.

Theksojmë se ekonomia e Serbisë është zgjeruar me 2% në 2017 dhe pritet të rritet me 3.5% gjatë këtij viti. Vendi ballkanik shpreson të arrijë një marrëveshje të re jofinanciare me FMN-në që do të mbështetet në Instrumentin për Bashkërendimin e Politikave, një akord jofinanciar për të ofruar këshillim dhe monitorim të politikave.


/Ora News.tv/