Gjykata Europiane e Drejtësisë ka vendosur mëngjesin e së hënës (10 dhjetor) se Britania e Madhe është e lirë të tërheqë vendimin për tu larguar nga BE në mënyrë të njëanshme.

Mbretëria e Bashkuar mund të anulojë Brexit pa miratimin e 27 vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian.

"Mbretëria e Bashkuar është e lirë të anullojë në mënyrë të njëanshme njoftimin për t'u tërhequr nga BE,"-shkruan GJED në Twitter, duke i bashkangjitur edhe dokumentin e vendimit.

Gjykatësit vendosën se kjo mund të bëhet pa ndryshuar kushtet e anëtarësimit të Britanisë.



Vendimi i GJED erdhi pasi një grup politikanësh dhe aktivistësh anti-Brexit argumentuan se Britania e Madhe duhet të jetë në gjendje të ndalojë njëanshmërisht procesin e Brexit nëse dëshiron ta bëjë këtë.

Por kjo u kundërshtua nga qeveria britanike dhe vetë BE.

Një zyrtar i lartë i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, avokati i përgjithshëm, tha javën e kaluar se ishte dakort që Britania të ndryshonte vendimin e saj për tu larguar.

Mendimi i tij nuk është ligjërisht i detyrueshëm, por gjykata ka tendenca të ndjekë këshillën e tij në shumicën e rasteve.

Vendimi vjen një ditë para se Dhoma e Përbashkët të votojë për Brexit, ndërsa pritet që shumë deputetë ta refuzojnë marrëveshjen.

Aktivistët anti-Brexit po shpresojnë që fitorja e çështjes ligjore do rrisë shanset që marrëveshja të tërhiqet plotësisht, përmes një referendumi tjetër.





/Ora News.tv/