Britania e Madhe nuk duhet lejuar të kërkojë shtyrje të Brexit përtej datës 31 tetor 2019. Këtë mesazh e përcolli të premten pallati i Elizesë përmes këshilltarit të presidentit francez, Emanuel Makron. Ndërsa në Londër, konservatorët dhe laburistët po përgatiten që në zgjedhjet e afërta europiane të humbasin mbështetje sikurse në zgjedhjet lokale të javës së kaluar.

Franca ka apeluar Bashkimin Europian të mos e vonojë më tej procesin Brexit për Britaninë e Madhe.

Një këshilltar i presidentit Emanuel Makron kërkoi të premten që vendit t'i jepet mesazhi i qartë se 31 tetori i vitit 2019 është afati i fundit për largimin nga unioni.

Zyrtari i Elizesë ftoi klasën politike britanike që në zgjedhjet europarlamentare që mbahen në dy javët e ardhshme të lënë mënjanë përçarjet dhe të gjejnë zgjidhje për ngërçin.

Kundërshtitë e Francës rreth tejzgjatjes së procesit Brexiti u bënë të qarta edhe muajin e kaluar, kur vendet e Bashkimit Europian i ofruan Britanisë së Madhe gjashtë muaj kohë për të arritur kompromisin.

Negociatat mes konservatorëve dhe laburistëve vijojnë prej javësh por asnjëra palë nuk duket se po heq dorë nga vijat e kuqe.

Lideri i opozitës, Xheremi Korbin, tha të enjten se rivalja e tij, kryeministrja Tereza Mej, nuk ka bërë një propozim domethënës.

Ai deklaroi se po nuk pati marrëveshje brenda dy javëve, Partia Laburiste do të lobojë për një referendum të dytë rreth Brexit.

Konservatorët ndërkohë druhen se ngërçi politik në vend mund t'i penalizojë në zgjedhjet e afërta europiane, sikurse ndodhi këtë muaj me zgjedhjet lokale, kur ata humbën mbi 1,300 këshilltarë.

Deputetët e partisë në pushtet ankohen se nuk kanë asnjë manifest politik apo mesazh për zgjedhësit e tyre, dhe presin që të fitojnë më pak eurodeputetë sesa laburistët apo partitë e tjera më të vogla.

/Ora News.tv/