"Braktisi" Kosovën për kombëtaren kuqezi, Ismajli: Jemi një komb

"Braktisi" Kosovën për kombëtaren kuqezi, Ismajli: Jemi

Mbrojtësi Ardian Ismajli ishte risia e Christian Panuccit në listën që tekniku kuqezi shpalli për dy ndeshjet e radhës. Më parë, Ismajli ka përfaqësuar kombëtaren kosovare, por duket se telefonata e italianit ia ka prishur mendjen mbrojtësit të Hajduk Split.

Në një intervistë të dhënë për "24sata.hr", ai ka zbuluar se vendimi është marr para gjashtë muajsh, por nuk ka dashur që t’i lë në baltë shokët te Kosova U-21.

“Menjëherë pas telefonatës së Panuccit vendosa të luaj për Shqipërinë në të ardhmen, por nuk doja të lija shokët te Kosova U21 deri në përfundim të kualifikueseve. Isha kapiteni dhe lojtari më i mirë, ndaj nuk do të kishte qenë vendim i mirë t’i lija ata në baltë”.-tha fillimisht mbrojtësi.

Ismajli thekson se është i sigurt për vendimin që ka marrë dhe ka marrë aprovimin nga familja e tij.

“Ne jemi një komb, shpresoj që së shpejti të bashkohemi në një shtet, por kemi ekipe të ndryshme. Shqipëria është më e mirë dhe më ofron mua më shumë mundësi për t’u promovuar. Veç të tjerave, unë kam luajtur për Kosovën U21… Ky ishte motivi kryesor për vendimin e marrë, që kishte edhe mbështetjen e prindërve të mi. Disa gazetarë dhe tifozë më kritikojnë mua, duke pretenduar se nuk do të ketë vend për mua te kombëtarja shqiptare për shkak se nuk kam luajtur shumë te Hajduku”.

“Por unë jam i bindur dhe i sigurt për vendimin që kam marrë. Unë jam gati që të luaj që kundër Skocisë në Ligën e Kombeve”,-shtoi mbrojtësi nga Prishtina.

22 vjeçari do të jetë një alternativë e Panuccit në dy sfidat e radhës, ndaj Skocisë më 17 nëntor dhe në miqësoren me Uellsin tre ditë më vonë.

EMISIONET