Interpelanca midis Ministrit të Financave dhe kreut të Komisionit të Ekonomisë për detyrimet tatimore të FSHF-së ndaj shtetit u shoqërua me debate.Kreu i Financave pranoi se ka nevojë për formalizim të klubeve sportive, ndërsa publikoi disa paga të sportistëve por nuk dha një përgjigje konkrete për detyrimet e këtij institucioni ndaj shtetit. Kreu i Komisionit të Ekonomisë kërkoi me ngulm që FSHF të paguajë detyrimet fiskale, një qëndrim ky që u mirëprit edhe nga deputeti Bashkim Fino, i cili duartrokiti.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë i kërkoi Ministrit të Financave që të zbatojë ligjin dhe FSHF të paguajë detyrimet fiskale si çdo institucion tjetër.
Gjatë interpelancës me Ministrin Ahmetaj, e cila u shoqërua me tensione, Braçe deklaroi se në çdo vend të botës ka pasur penalizime për shkelje të tilla.

Braçe: Që nga muaji shkurt nuk marrim një përgjigje të qartë për përputhshmërinë me ligjin e aktivitetit të Federatës Shqiptare të Futbollit në aspektin fiskal.

Ministri Ahmetaj pranoi se klubet sportive kanë nevojë për formalizim,ndërsa bëri publike pagat e punonjësve duke anashkaluar përgjigjen konkrete .

Ahmetaj:Klubet, po ju nxjerr tre klube të rëndësishme të vendit që i kanë dhënë dinjitet futbollit dhe që kanë nevojë për formalizim të mëtejshëm.

Megjithatë, Erjon Braçe, këmbënguli se përpara ligjit fiskal janë të barabartë dhe kanë detyrimin të paguajnë tatime e taksa.

Braçe replikoi: Pse ne duhet të pranojmë alibinë e një njeriu që nuk heq dorë nga një karrige atje pikërisht për shkak të këtyre përfitimeve që administrohen vit për vit në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Unë nuk të pyeta sesa paguajnë klubet e futbollit, ekipet e futbollit apo lojtarët që luajnë me top në këtë vend. Unë pyeta, prej muajit shkurt në mënyrën më të qartë të mundshme, sa është tatimi mbi të ardhurat personale që paguhet nga FSHF?

Dhe së dyti, sa është 10% që i takon buxhetit të shtetit nga e drejta televizive që ka tregtuar FSHF 10 vitet e fundit. Këto ishin dy pyetjet e mia për të cilat nuk mora përgjigje. Ose më saktë për të parën mora një përgjigje që është pjesore dhe që sjell në vëmendje apo më jep të drejtë për arsyen pse e kam thirrur këtë interpelancë.

Në asnjë rast nuk do ta mbyll gojën para individëve dhe institucioneve që kanë fituar imunitet fiskal qofshin nderi apo llumi i kombit. Përpara ligjit fiskal janë të barabartë dhe kanë detyrime të paguajnë tatime e taksa. Pse u dashka ti jepet imunitet fiskal?! Po bëni detyrën dhe shkoni e trokisni në çdo dyqan, kafene e qebaptore, e mirë bëni por këta të mëdhenjtë kur do të paguajnë. Këta që administrojnë miliona lekë e që dalin e mburren nga mëngjesi në darkë. Duhet të jemi të parët" u shpreh Brace.

Më i kënaquri nga ky sulm ndaj FSHF-së, duket se ka qenë deputeti Bashkim Fino, i cili ka duartrokitur deklaratën e kreut të Komisionit të Ekonomisë dhe nga salla i tha Ahmetajt: Bëj detyrën! 

Braçe tregon historine e lokalit bosh ne Çermë dhe tatimoret

"Dje në oren 3:20  të drekës zyrtarët të hetimit tatimor të Fierit kanë shkuar në nje lokal në fshatin Çermë. Në 3:20, e kanë gjetur lokalin bosh dhe e kanë gjobitur me 500 mijë lekë, për mos prerje të kuponit tatimorë, me lokalin bosh. Ndërkohë i kam kërkuar pronarit të lokalit që ti binte kasës fiskale në atë moment që ato ishin aty. I ra kasës, dhe urdhëroni çfarë del nga kasa "Në oren 3:28 minuta kuponi me nr. 230". Kur kjo ndodh me një fakir në mes të Çermës, pse nuk u dashka të ndodhë me nje në krye të Federates Shqiptare të Futbollit? Pse? Cila është aryeja? Do ta harxhoj kohën për këta fakira zoti ministër pa as nje lloj diskutimi. Jut thashë e çmoj shumë çfarë keni bërë  juve në këto 5 vite në qeveri për të arkëtuar ne maksimum të ardhurat që që përcaktohen nga ligjet respektive dhe detyrimet qe percakton buxheti i shtetit. Por në krahun tjetër do ta refuzoj që çdo fakir i këtij vëndi  të jetë objekt i ligjeve fiskale dhe këta të tjetër si ky që është në krye të FSHF të kenë imunitet fiskal me persona apo personel jashtë Federatës Shqiptare të Futbollit.  Jashtë detyrimeve për të paguar  të drejtën televizive, ky është shqetësimi im."

Shtetëzoni lojrat e fatit

Brace kerkon kthimin në monopol shtetëror të lojrave të fatit.

Erjon Braçe: "Për pjesën tjetër zoti minister kam më shumë se një vit që flas këtu në këtë sallën e kuvendit për bastet, dhe dua ta duartrokas qeverin, kryeministrin Rama, për vendimin që ka marrë për të larguar  bastet nga qëndrat e banuara, për ti mbyllur fare, pa as më të voglin dikutim ashtu siç kam ngritur këtu në këtë sallë shqetësimin se ligji aktual për lojrat e fatit në disa segmente të tij nuk është zbatuar. Por patjetër nje duartrokitje për lojrat elektronike të fatit. Pothuaj se kanë hyrë në 90% të tyre ne fiskalizim. Por bastet janë në 80% të xhiros së tyre jashte fiskalitetit. Ajo që po ju then tani është shtetëzojeni aktivitetin e lojrave të fatit. Kthejeni në monopol shtetëror, dhe bëjeni që të mos kthehet në ndarje xhiroje pastaj nëpër bodrume apo ne dhoma tjera."


/Foto LSA


/Ora News.tv/