Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Eno Bozdo është shprehur se në Tiranë nuk janë zgjidhur disa nga problemet më jetike.

I ftuar në emisionin ‘Dite e Re’ Bozdo shpjegoi se problemi i mbetjeve, i trafikut e transportit si edhe problemi i gjelbërimit mbeten aktuale.

Ish nënkryetari i bashkisë së Tiranës tha se kryeqyteti pas 20 vitesh do të kthehet në një metropol, por së pari duhet të zgjidhen këto probleme thelbësore.

Eno Bozdo: “Nëse nuk i zgjidh këto probleme nuk quhet më metropol por anarki, si problemi i mbetjeve, i trafikut dhe transportit, problemi i gjelbërimit, pra raporti midis hapësirës së gjelbër dhe të betonizuar për të balancuar shëndetin, çështjen e ajrit. Problemi i mbetjeve vazhdon të jetë aktual, nuk mund të zgjidhet me arnime. Problemi i tarfikut jo vetëm që nuk është zgjidhur por është rënduar më tepër.”

Sipas Bozdos Tiranës duhet ti jepet një vëmendje e veçantë për shkak të kontributit të madh që ka për ekonominë e vendit 

Eno Bozdo: “Sigurisht që Tirana do të ketë nevojë gjithmonë për të investuar brenda. Ka absolutisht nevoja të jashtëzakonshme. Për atë pjesë që kontribuon në ekonominë e vendit meriton të ketë vëmendje të veçantë. Tirana prodhon 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe nuk duhet të finacohet në mënyrë të barabartë me qytetet e tjera.”

/Ora News.tv/