Washingon Post ka publikuar shkrimin e fundit të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i zhdukur që nga 2 tetori. Për herë të fundit u pa duke hyrë në Konsullatën Saudite në Stamboll. Një hetim i përbashkët Turqi-Arabi Saudite është duke u zhvilluar, ndërsa sipas raportimeve në media gazetari besohet të jetë vrarë në këtë konsullatë. Ai njihej për kritikat e tij ndaj qeverisë saudite, veçanërisht ndaj princit saudit Mohammed bin Salman.

Parathënie nga Karen Attiah, Kryeredaktor i Opinioneve në Washington Post.

Kam pranuar këtë shkrim nga përkthyesi dhe asistenti i Jamal Khashoggi një ditë pasi Jamal u raportua i zhdukur në Stamboll. The Post nuk e publikoi ngase shpresonim se Jamal do të na kthehej dhe se do të mund ta redaktonim tekstin së bashku. Tani më duhet ta pranoj: Që një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Ky është shkrimi i tij i fundit që do ta redaktoj për The Post. Kjo kolumne në mënyrë perfekte shpërfaqë përkushtimin dhe pasionin e tij për liri në botën Arabe. Liria që siç duket ai e dha jetën për të. Do i jem përherë mirënjohës që zgjodhi The Post si shtëpinë e tij të fundit të gazetarisë një vit më pare dhe më ofroi mundësinë që të punojmë së bashku.

 

 Së fundmi isha duke shikuar online raportin e “Freedom in the World” të vitit 2018 të publikuar nga Freedom House dhe erdha në një përfundim të rëndë. Ekziston vetëm një vend në boten arabe që ishte klasifikuar si “i lirë”. Ai shtet është Tunizia. Jordani, Maroku dhe Kuvajti vijnë në rendin e dytë, të klasifikuara si “pjesërisht të lira”. Shtetet tjera në botën arabe janë klasifikuar si “jo të lira”.

Si rezultat i kësaj, arabët që jetojnë në këto vende janë të painformuar ose të keqinformuar. Ata janë të paaftë të adresojnë në mënyrë adekuate, aq më pak të diskutojnë publikisht, çështjet që prekin këtë regjion dhe përditshmërinë e tyre. Narrativa e drejtuar nga shteti dominon psikikën e popullsisë, dhe ndonëse një pjesë nuk e besojnë, shumica e popullsisë bien viktimë e kësaj narrative të pavërtetë. Mjerisht, kjo situatë nuk ka shumë gjasa që të ndryshojë.

Bota arabe u mbush shpresë gjatë pranverës së 2011-ës. Gazetarë, akademikë dhe popullsia e përgjithshme kishin pritshmëri të mëdha për një shoqëri arabe të lirë dhe të ndritur me shtetet respektive. Ata prisnin të emancipoheshin nga hegjemonia e qeverive të tyre, intervenimeve të vazhdueshme dhe censurës në informim. Këto pritshmëri shumë shpejt u shkatërruan; këto shoqëri ose u rikthyen në status quo-në e mëparshme ose u përballën me kushte më të ashpra se sa më parë.

Shoku im i dashur, shkrimtar i shquar saudit Saleh al-Shehi, shkroi një nga kolumnet më të famshme të publikuara ndonjëherë në shtypin saudit. Fatkeqësisht ai tani po vuan dënimin prej pesë vjet burgim, për, siç është thënë, komentim në kundërshtim me establishmentin saudit. Konfiskimi i plotë i gazetës “al-Masry al Youm” nga qeveria në Egjipt, nuk i shqetësoi apo nuk nxiti reagim nga kolegët. Këto veprime nuk bartin më as pasojat e një dënimi nga bashkësia ndërkombëtare. Në vend të kësaj, veprimet e tilla mund të nxisin reagime të menjëhershme që pasohen nga heshtja.

Si rezultat i kësaj, qeverive arabe u është dhënë liria e sundimit duke i heshtur mediat në një shkallë që vazhdon duke u rritur. Ishte një kohë kur gazetarët besonin se interneti do të çlirojë informacionet nga censura dhe kontrolli që lidhet me mediat e printuara. Mirëpo këto qeveri, ekzistenca e së cilave mbështetet në kontrollimin e informacioneve, në mënyrë agresive kanë bllokuar internetin. Ato gjithashtu kanë arrestuar reporterë lokalë si dhe u kanë bërë presion reklamuesve për t’i dëmtuar të ardhurat e publikimeve specifike.

Janë disa oaza që vazhdojnë të përqafojnë shpirtin e Pranverës Arabe. Qeveria në Katar vazhdon të mbështesë mbulimin e lajmeve ndërkombëtare, për dallim nga përpjekjet e qeverive fqinje të saj për të mbajtur kontrollin e informacioneve në mbështetje të “sundimit të vjetër arab”. Edhe në Tunizi dhe Kuvajt, vende ku mediat konsiderohen të paktën “pjesërisht të lira”, mediat fokusohen në çështjet e brendshme dhe jo tek çështjet me të cilat përballet bota arabe në tërësi. Hezitojnë të ofrojnë platformë për gazetarë nga Arabia Saudite, Egjipti dhe Jemeni. Edhe Libani, që konsiderohet kurora e botës arabe kur flitet për lirinë e shtypit, është shndërruarë viktimë të polarizimit dhe influencës pro Hezbollah dhe Iran.

Bota arabe po përballet me versionin e saj të një Perde të Hekurt, të imponuar jo nga faktorët e jashtëm mirëpo përmes forcave të brendshme në kërkim të pushtetit. Gjatë Luftës së Ftohtë, Radio Evropa e Lirë, e cila u shndërruar brenda disa vitesh në një institucion kritik, luajti një rol të rëndësishëm në nxitjen dhe ruajtjen e shpresës për liri. Arabët kanë nevojë për diçka të ngjashme. Në vitin 1967, New York Times dhe The Post morën përsipër gazetën ndërkombëtare “Hearld Tribune”, që u shndërrua në një platformë për zërat e ndryshëm nëpër botë.

Publikimet e mia, The Post ka ndërmarrë iniciativën që t’i përkthejë dhe publikojë shumicën e shkrimeve të mia në gjuhën arabe. Për këtë, u jam mirënjohës. Arabët kanë nevojë të lexojnë në gjuhen e tyre në mënyrë që të kuptojnë dhe të diskutojnë aspektet e ndryshme dhe komplikimet e demokracisë në SHBA dhe Perëndim. Në qoftë se një egjiptian lexon një artikull që shfaqë koston reale për ndërtimin e një projekti në Uashington, atëherë ai ose ajo do ta këtë më të lehtë të kuptojë implikimet e një projekti të ngjashëm në komunitetin e saj/tij.

Bota arabe ka nevojë për versionin modern të mediave të vjetra transnacionale në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar për ngjarjet përreth globit. Më e rëndësishme, ne kemi nevojë të ofrojmë një platformë për zërat arabë. Ne vuajmë nga varfëria, keq-menaxhimi dhe edukimi i dobët. Përmes krijimit të një forumi të pavarur ndërkombëtar, të izoluar nga influenca e qeverive nacionaliste që shpërndajnë urrejtje përmes propagandës, njerëzit e thjeshtë në botën arabe mund të jenë të aftë të adresojnë problemet strukturore me të cilat përballen shoqëritë e tyre.

 (Botuar në The Washington Post, përkthyer nga Klan Kosova)


/Ora News.tv/