Bota nuk po bën mjaftueshëm për të reduktuar duhanpirjen

Bota nuk po bën mjaftueshëm për të reduktuar duhanpirjen

Është ky apeli i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Ditën Botërore Pa Duhan. Më shumë se 7 milionë persona vdesin çdo vit nga ky shkak, ndërsa të rrezikuar janë edhe ata të cilët ekspozohen ndaj tymit në mënyrë të pavullnetshme. OBSH i ka bërë thirrje qeverive të mbrojnë qytetarët nga rreziqet e duhanpirjes.

Më pak persona konsumojnë duhan në rang botëror, veçanërisht gra, por vetëm 1 në 8 vende është në rrugën e duhur për reduktimin e përdorimit të duhanit deri në vitin 2025. Është ky bilanci i bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në kuadër të raportit global mbi trendin e përhapjes së duhanpirjes.

3 milionë persona vdesin para kohe çdo vit për shkak të përdorimit të duhanit, që shkakton sëmundje kardiovaskulare, paralajmëron Douglas Bettcher, drejtor i Departamentit të OBSH për Parandalimin e Sëmundjeve Jo-ngjitëse. Ndërsa rreth 890.000 vdekje i atribuohen duhanpirjes pasive.

Progresi është jo i barabartë, me kontinentin amerikan që është i vetmi rajon që parashikohet të përmbushë objektivin e OBSH për reduktimin e duhanit me 30% deri në vitin 2025. Pjesë të Europës Perëndimore kanë mbetur në vend-numëro, veçanërisht pasi gratë nuk po heqin dorë nga duhanpirja.

Në total, duhani vret më shumë se 7 milionë persona në vit, duke shkaktuar rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës apo kancerit. Por shumë duhanpirës në Kinë dhe Indi nuk janë të vetëdijshëm për këto ndikime në shëndetin e tyre, sipas raportit të OBSH.

Dy superfuqitë aziatike kanë numrin më të madh të duhanpirësve në botë, me 307 dhe 106 milionë respektivisht, nga 1.1 miliardë të llogaritur në mbarë botën, siç tregojnë shifrat e OBSH. Ndaj organizata i bën apel qeverive të mbrojnë qytetarët e tyre nga vuajtjet e panevojshme të sëmundjeve të zemrës.

EMISIONET