Edhe pse ka pësuar ulje, borxhi tatimor vijon të mbetet një shqetësim.Sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, gjatë vitit 2017 detyrimet e papaguara nga biznesi arrijnë në 95.5 miliard lekë.Ndërkohë që shqetësues është fakti që pjesa më e madhe e kësaj shume zotërohet nga subjektet pasive. Borxhi tatimor ka pësuar ulje me 51.6 miliard lekë krahasuar me 2016 por efekt në këtë ulje ka dhënë edhe zbatimi i ligjit të faljes.

Borxhi i biznesve ndaj administratës tatimore gjatë vitit 2017 rezulton të jetë 95.5 miliard lekë.

Të dhënat e Drejtorisë së Tatimeve tregojnë se  pavarësisht se në krahasim me 2016 ka pësuar një rënie me 35 % ose me rreth 51.6 miliard lekë, përsëri niveli i tij konsiderohet shqetësues.

Sipas raportit vjetor të  Drejtorisë së Tatimeve, borxhi me vjetërsi mbi 2 vjet zë pothuajse gjysmën e borxhit në total dhe kap vlerën  45.5 miliard lekë.

Peshën kryesore të borxhit ndaj tatimeve e mban TVSH-ja me 36%, e ndjekur nga tatim-fitimi me 28%, e ndjekur nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore me 12% dhe TAP me 2%.

Problem mbetet fakti që subjektet e kaluara me status pasiv zotërojnë  më shumë se gjysmën e borxhit tatimor.

Niveli i borxhit tatimor tregon vështirësitë me të cilat po hasen bizneset në vendin tonë, duke mos pasur mundësi që të shlyejnë detyrimet  ndaj administratës tatimore. 

Ndërkohë për të ulur nivelin e detyrimeve të prapambetura që biznesi i ka administratës tatimore, tashmë është hartuar një strategji ku sipërmarrja mund të bëjë një kontratë-marrëveshjeje me tatimet, për të paguar me këste. 

Kjo  synon të arrijë lehtësimin e bizneseve, si dhe do të përmirësojë dhe të ardhurat nga tatimet në buxhetin e shtetit.

Në uljen e borxhit tatimor ka ndikuar gjithashtu edhe zbatimi i ligjit të faljes, duke sjellë faljen e 54.3 miliard lekëve.

Borxhi tatimor

2016    147 mld lekë

2017   95.5 mld lekë

Borxhi tatimor sipas llojit

TVSH  36% 

Tatim-fitimi  28% 

Sigurimet shoqërore & shëndetësore  12% 

 TAP  2%

 

/Ora News.tv/