Shqipëria është një ndër vendet e rajonit me nivelin më të lartë të borxhit publik duke u transformuar në një rrezik për ecurinë ekonomike.

Një tjetër problematikë është dhe transparenca prej institucioneve. Ish-ministri i Financave Arben Malaj shprehet se nëse do të llogarisnim edhe të dhëna të tjera si konçesionet apo vendimet e gjykatës së Strasburgut borxhi mund të jetë edhe më i lartë.

Malaj: Risqet më të mëdha janë borxhet që nuk dihen, që nuk pasqyrohen saktë nga entet publike, borxhet që nuk pasqyrohen saktë nga organet tatimore, apo doganore, borxhet që nuk paqyrohen saktë nga detyrimet ligjore që mund të ketë shteti me punonjësit që janë pushuar nga puna dhe që kanë fituar gjyqet apo kostot që po rriten ndjeshëm nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut lidhur me elementë të pronarëve, por edhe borxhet në gjykatat ndërkombëtare lidhur me koncesionet e ndryshme.

Ndërkohë për Ardian Civicin në rastin e Shqipërisë mbetet problem fakti që borxhi publik nuk përdoret për investime ndërsa nuk arrihet asnjëherë plani për realizimin e të ardhurave.

Civici: Më shumë sesa procesi i uljes së borxhit në vetëvete është mënyra si përdoret ky borxh, si po menaxhohet ristrukturimi i tij si kohëzgjatje në kohë apo si strukturë mes borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Mbi të gjitha nëse një pjesë e borxhit përdoren për investime që ndikojnë në rritjen ekonomike apo përdoret për të mbuluar gropa të ndryshme buxhetore dhe shpenzime të natyrës administrative.

Aktualisht Shqipëria e ka nivelin e borxhit publik 68.6%. synimi është që deri në fund të këtij mandati niveli të arrijë nën 60% një objektiv ky mjaft i vështirë për tua arritur duke parë ecurinë e deri tanishme. Çdo shqiptar ka aktualisht rreth 3 mijë euro borxh, duke  u renditur në vendin me nivelin më të lartë në rajon.

/Ora News.tv/