Pavarësisht se ka rishikuar me rritje ecurinë ekonomike në vend Banka Botërore ka ngritur si shqetësim serioz korrupsionin në Shqipëri.

Gjatë prezantimit të raportit për Ballkanin drejtorja e BB për Shqipërinë, Maryam Salim, tha se ky problem duhet të zgjidhet me transparencë dhe me miratimin e ligjeve të duhura. Ndërsa e quajti hap të mirë eurobondin.

Maryam Salim: Është shumë rëndësishëm që kur bëhen investimet të kenë në thelb transparencën e Prokurimeve Publike duke lejuar konkurencën dhe duke u fokusuar në ligjet ekzistuese, taksat të jenë të qarta për investitorët.

Sigurisht ju duhet të reduktoni korrupsionin sepse ju e shikoni që nëse korrupsioni rritet është frenim për investimet e sektorit privat, dhe mënyrat për të adresuar këtë janë sërish rritja e transparencës, ligje që rrisin besimin e investitoreve në sistem, psh eurobondi aktualisht tregon besimin e tregjeve dhe ky është një hap shumë i mirë, por nuk është vetëm eurobondi, janë shumë partnerë që po punojnë bashkë me qeverinë për reformat, duke parë dhe inkurajuar reformat dhe duke u fokusuar në fusha që mund të reformohen.

Hilda Shijaku: Emetimin e eurobondit e shikojmë se shkon në të njëjtën linjë me strategjinë e zgjatjes së maturitetit të borxhit dhe uljen e normës së interesit që ne paguajmë në total për borxhin publik. Duke pasur parasysh dhe blerjen e një pjesë të borxhit dhe strategjinë për të ulur ekspozimin në tregun e brendshëm mendojmë se ky operacion përputhet me strategjinë dhe menaxhimin e borxhit.

Nga ana tjetër pjesëmarrja në tregjet e huaja ekspozon vendin ndaj disiplinës së tregut, ndaj fakti që Shqipëria emeton eurobondin me një normë më të ulët sesa disa vite më parë tregon se tregjet kanë shfaqur një konfidencë në reformat dhe ecurinë pozitive të ekonomisë deri tani.

Ndërkohë që ekonomistja e Bankës Botërore për vendin tonë kërkoi që të bëhet kujdes me konsolidimin fiskal dhe me shpenzimet publike.

Sipas, Hilda Shijakut,  PPP janë një faktor negativ në këtë drejtim ndërsa tha se Shqipëria po jep më shumë oferta të pa kërkuara.

Hilda Shijaku: Qëndrimi ynë është në të njëjtën linjë me atë të FMN-së, për përdorimin e propozimeve të papërkuara me këtë intensitet. Ne mendojmë që përdorimi i propozimeve të pakërkuara është pak më i lartë sec duhet të jetë dhe kjo ka qenë dhe dialogu me autoritetet, ministrinë e Financave, si mund të përdorim sa më mirë këtë instrument duke pasur parasysh dhe monitoruar me kujdes rreziqet që dalin nga përdorimi i këtij instrumenti.

Banka Botërore rishikoi me një rritje prej 0.4% parashikimin për ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke e çuar shifrën në 4% por në dy vitet në vijim pritshmëritë për ekonominë shqiptare janë më të ulta përkatësisht 3.6% në 2019 dhe 3.5% për 2020.

Ndërkaq kryeministri, Edi Rama, ka vlerësuar raportin duke shtuar se kjo tregohet me rritjen e punësimit. 

Eurobondi
Shqipëria ju drejtua për herë të tretë tregjeve ndërkombëtare të kapitalit, duke lëshuar një Eurobond me afat maturimi 7 vjeçar përmes të cilit ajo siguroi një hua prej 500 milion eurosh, me një interes prej 3.55 përqind. I gjithë procesi u ndoq nga tre banka të huaja që luajtën rolit e ndërmjetësit, amerikania City Group, italiania Banca Imi, dhe francezja Société Générale, të cilat muajt e fundit kontaktuan me investitorë potencialë duke prezantuar karaketristikat e Eurobondit.

Hera e fundit që Shqipëria doli në tregjet ndërkombëtare ishte në 2015, ku mori një hua prej 450 milion eurosh me një interes prej 5.75 përqind, dhe afat maturimi 5 vjeçar. Përmes huasë së tanishme, qeveria synon të shlyejë 200 milion euro të mbetura nga huaja e parë, ndërsa pjesa tjetër prej 300 milionësh do të përdoret për të mbështetur financat e brendshme.

/Ora News.tv/