Krimi Mjedisor është një ndër çështjet më problematike në të gjithë botën për dëmet që shkakton në shëndetin e qytetarëve.

Të premten u mbajt Konferenca Kombëtare për Krimin Mjedisor, që mblodhi bashkë kryetarin e prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadorin Bernd Borchardt si dhe përfaqësues të qeverisë.

Borchardt: Ne e dimë se vendi është ende i prekur nga prerja e paligjshme e pyjeve dhe dëmtimi i zonave të mbrojtura, si dhe nga hedhja e paligjshme e mbeturinave që shkakton ndotje të rëndë të tokës edhe të ujit. Krimi mjedisor është shpeshherë i mirëorganizuar dhe i sofistikuar dhe lufta ndaj tij kërkon burime të mjaftueshme, bashkëpunim institucional dhe ndryshime legjislative, përfshirë ndryshime në kodin penal.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se është kritik me punën e tij dhe të institucionit që drejton duke theksuar nevojën për ndërhyrje në Kodin Penal.

Klosi: Unë jam kritik me punën time si ministër. Kemi nevojë që të ngremë një aleancë më të madhe për mbrojtjen e mjedisit për të kuptuar që krimi mjedisor duhet të dënohet. 

Edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për aktivitetin prodhues, bujqësinë dhe mjedisin, Eduart Shalsi u shpreh se krimi mjedisor është furnizues i krimit të organizuar e si i tillë, kërkon riformim ligjor, institucional dhe kapacitete njerëzore.

/Ora News.tv/