Borchardt: Komisioni i reformës zgjedhore të trajtojë shitblerjen e votës

Borchardt: Komisioni i reformës zgjedhore të trajtojë shitblerjen

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt thekson domosdoshmërinë për të adresuar çështjen e blerjes së votës, duke nënvizuar nevojën për një reformë të plotë dhe në kohë që të trajtojë rekomandimet e ODIHR-t dhe çështje të tjera kyçe.

Borchardt: Sikurse u theksua nga ODIHR-i në raportin e 2017-s, Komisioni duhet t'i japë përparësi punës për të adresuar çështjet e vazhdueshme të blerjes së votës. Akuzat e shumta për blerje vote kanë cenuar besimin e publikut dhe nevojitet vullnet politik për t'iu kundërvënë këtij fenomeni. Ne po u kushtojmë vëmendje të veçantë rasteve të shkeljeve zgjedhore të denoncuara në Prokurori. Tri çështjet që kanë shkuar në gjykatë deri tani janë një fillim, por vetëm një fillim.

 Lidhur me teknologjitë e reja të votimit, Borchardt tha se praktikat më të mira tregojnë se vendimet për përdorimin e teknologjive të reja nuk duhet të vihen menjëherë në zbatim në zgjedhjet e radhës, por, më parë, duhen testuar.

Borchardt: Ne kemi sugjeruar në vijimësi që të bëhet një testim në një numër të kufizuar zonash, gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2019.  Votimi elektronik mund të pakësojnë disa rreziqe për zgjedhjet, por krijon rreziqe të reja, për shembull rrezikun e hakerave, nëse bëhet online. I takon Shqipërisë të vendosë nëse kostoja e këtij lloj votimi është e justifikueshme. Nga pikëpamja jonë, ne kemi inkurajuar përdorimin e numërimit elektronik, i cili nuk kushton shumë dhe do të kontribuonte për depolitizimin e administratës zgjedhore.

Sa i përket çështjes së votimit të shtetasve shqiptarë jashtë vendit, Borchardt tha se sfida është e madhe për të gjetur balancën ndërmjet sigurimit të të drejtës së votës për shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe garantimit të paprekshmërisë dhe sigurisë së votës.

Borchardt përsëriti gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për të mbështetur reformën zgjedhore, së bashku me ODIHR-in dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Deklaratat e tij u bënë gjatë një takimi të organizuar nga Prezenca e OSBE-së me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Bledar Çuçi dhe Oerd Bylykbashi, njohën përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar me ecurinë e reformës zgjedhore, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të tyre.

EMISIONET